Politike

Inceneratorët, Tabaku 3 orë në SPAK: Shpejt do të kemi të reja nga hetimet

Gazeta Si – Për rreth 3 orë në SPAK, deputetja demokrate Jorida Tabaku, e thirrur në cilësinë e kallëzueses për çështjen e inceneratorëve, ka dhënë sqarime para grupit hetimor.

Ajo bëri të ditur se ishte thirrur për çështjen e inceneratorëve të Fierit dhe Tiranës sa i takon fakteve që lidhen me dëshmitë që i janë dhënë Komisionit Hetimor.

Tabaku shtoi se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me prokurorinë speciale sa i përket hetimeve.

“Kam kërkuar informacion në cilën fazë ndodhen hetimet, por njëkohësisht në lidhje me statusin e personave që ne i kemi kallëzuar”, tha ajo.

Sipas Tabakut shumë shpejt do të ketë të reja nga hetimet e SPAK për këtë çështje.

“Besoj që shumë shpejt do të kemi të reja të paktën nga faza në të cilën ndodhen sot hetimet. Konfirmoj që hetimi i aferës 430 milionë Euro ka qenë një prioritet jo vetëm i punës sime personale, por më vjen mirë që shoh që hetimet kanë ecur edhe në organin e akuzës”, u shpreh Tabaku.

Pas Monika Kryemadhit dhe Gazmend Bardhit, deputetja demokrate është e treta që merret ne pyetje nga SPAK si person që ka bërë kallëzimin e incineratorëve.

Ndërkohë që hetimet për abuzimet me inceneratorët janë drejt përfundimit Gjykata e Posaçme e Apelit do të shqyrtojë në 9 nëntor ankimimi e pak për Alqi Bllakon, i cili u lirua në masë “arrest shtëpie” nga Gjykata e Shkallës së Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë