Politike

Inceneratori i Elbasanit, PD: Kontrata e paligjshme u hartua brenda ditës

Partia Demokratike iu rikthye këtë të martë pesë pyetjeve për inceneratorët. Këtë herë, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Jamarbër Malltezi u ndal te kontrata e inceneratorit të Elbasanit.

Ai thotë se kontrata e nënshkruar del mbi ligjet e vendit dhe i kërkoi SPAK-ut që ta hetojë.

“Në Fletoren Zyrtare, për inceneratorin e Elbasanit është botuar një shkarravinë. Ky është një hap i vogël në drejtim të transparencës po ta krahasosh me inceneratorët e Fierit dhe Tiranës për të cilët nuk është dhënë asnjë karakteristikë. Kjo pra është historia e transparencës së inceneratorëve të infamozëve Rama-Veliaj-Ahmetaj-Mërtiri-Zoto-Gugallja: shqiptarët kanë dhënë 430 milion euro, por nuk kanë marrë mbrapsht asgjë. Madje as një skicë të ‘veprave monumentale’, të cilat do ta shpëtonin Shqipërinë nga plehrat, apo do të zvogëlonin edhe vrimën globale të ozonit”, tha Malltezi.

Malltezi tha se kontrata është hartuar brenda ditës dhe ngre dyshime se në hartimin e saj nuk është përfshirë drejtoria juridike, siç e kërkon ligji, por është marrë e gatshme.

“A mund të ketë kontratë në kundërshtim me ligjin? A mund të ketë kontratë që rri në fuqi edhe kur nuk zbatohen disa pika të saj? Kush e ka hartuar këtë kontratë brenda ditës? A është hartuar nga drejtoria juridike siç e kërkon ligji apo është marrë e gatshme nga Rama-Zoto-Mërtiri dhe drejtoria juridike nuk u lejua as ta shohë e as të bëjë komente? A është marrë në pyetje dhe a është ofruar bashkëpunim me drejtësinë për drejtorin e drejtorisë juridike në kryeministri? A ka gjurmë në kontratë të mjaftueshme që SPAK të nisë hetimet duke bllokuar së pari veprën e aktit korruptiv?”, tha Malltezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë