Gazeta Si – Pak orë para se të dëshmojë përballë Komisionit Hetimor Parlamentar, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale në lidhje me incineratorët.
Rama thotë se gangrenat e fushave me plehra në Elbasan, Fier, Durrës dhe Tiranë janë shëruar përfundimisht përmes impianteve moderne të përpunimit të mbetjeve.
“Mirëmëngjes, dhe me gangrenat e fushëkodërplehrave të Elbasanit, Fierit, Durrësit e Tiranës, të cilat i shëruam përfundimisht, përmes impianteve moderne të përpunimit të mbetjeve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë do të dalë këtë të mërkurë në orën 12:00 para Komisionit Hetimor, ndërsa në fund nuk mohon padurimin për të dëshmuar.
“Mezi po pres”, shkruan Rama. Një ditë më parë, Rama ftoi qytetarët që ta ndjekin dëshminë e tij, “nëse nuk keni punë tjetër për të bërë”.
Komisioni Hetimor Parlamentar për incineratorët dëgjoi të martën dëshmitë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
Hetimet janë një përpjekje për të hedhur dritë mbi dyshimet, se zyrtarë të lartë kanë abuzuar fondet publike dhe kanë kryer korrupsion në miliona euro me 3 incineratorët e mbetjeve urbane në Elbasan, Tiranë dhe Fier.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje