Duke interpretuar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me incineratorët, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku akuzoi socialistët se janë bërë mburojë politike për të mos hetuar vjedhjen e 430 milionë eurove nga taksat e shqiptarëve.
Tabaku doli në një deklaratë për shtyp, ku akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj se ka firmosur për ndërtimin e një incineratori, pavarësisht se vetë Bashkia nuk e përballon dot nga financat e veta këtë projekt.
Sipas Tabakut, që prej katër vitesh, shqiptarët po paguajnë dy herë një incinerator që nuk ekziston, duke iu referuar projektit të Tiranës.
“Por ndërkohë që afera më e madhe korruptive, ashtu siç thotë edhe raporti i fundit i performancës, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nuk është bërë ende publik, por sigurisht që është vënë në dispozicion të opozitës dhe të gjithë faktorëve, tregon që qytetarët e Tiranës që nga viti 2018 po paguajnë dy herë një incenerator inekzistent në zonën e Sharrës”, tha ajo.
Tabaku thotë se sipas raporteve të KLSH, që ka analizuar në vitin 2019 kontratën dhe zbatimin e saj deri më sot, vlera reale e depozitimit të mbetjeve në incinerator është 40.6 euro/ton mbetje, një vlerë e panegociuar, por e pranuar nga qeveria pa asnjë ndryshim.
“Për rrjedhojë qytetarët e Tiranës falë përfshirjes së Erion Veliaj në Grupin e Strukturuar Kriminal të Plehrave, paguajnë sot dyfish më shumë, duke pasur parasysh edhe rritjen e tarifave të pastrimit.
Vetëm për vitin 2020 kosto e pastrimit të qytetit të Tiranës ka shkuar nga 2.56 mld lekë dhe kjo është një shifër që paguhet nga qytetarët e Tiranës, në një kosto pothuajse dy herë më të lartë”, deklaro ajo.
Sipas të dhënave, që paraqiti Tabaku, Bashkia Tiranë ka vështirësi për ta paguar këtë kontratë.
“Në vitin 2018 ka paguar 23% të shërbimit, në 2019 47% dhe në 2020 ka përballuar 38% të shërbimit, që do të thotë që pjesa më e madhe vazhdon dhe rëndon mbi buxhetin e shtetit. Përditë e më shumë bëhet e qartë se përse Partia Socialiste është kthyer në mburojë dhe bllokuese të inceneratorëve. Sot e kësaj dite në atë që duhej të ishte Inceneratori i Tiranës, raporti i KLSH-së thotë se megjithëse është paguar një shumë, shumë e madhe, rreth 80 milionë euro, kanë përfunduar vetëm 2 nga 9 lotet e parashikuara prandaj sot qytetarët e Tiranës nuk janë duke e marrë shërbimin e incenerimit dhe kjo është shkelja më e lartë që indentifikon ky Raport”, tha deputetja e PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje