Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor parlamentar për incineratorët nisi e vijoi me debate mes kryetares demokrate, Jorida Tabaku dhe nënkryetares socialiste, Ermonela Felaj.
Tabaku kërkoi nga nënkryetarja Felaj që të tërhiqej nga diskutimet për incineratorin e Tiranës, duke ngritur pretendimet se ajo ishte e përfshirë në vendimmarrjen korruptive e rrjedhimisht binte në konflikt interesi.
“Sjell edhe nje here ne vëmendje konfliktin e interesit një shkresë të znj. Ermonela Felaj të përfshirë në procedurën e koncesionit të Tiranës që ka qenë miratuese e një prej fazave. Për këtë arsye dua që të jemi të gjithë të qartë që askush nuk ka pasur vendimmarrje në incineratorin e Tiranës. Është një lloj konflikti tjetër interesi nga ai i kallëzuesit. Ne nuk kemi qenë palë në procesin e miratimit dhe dhënies me koncesion”, deklaroi Tabaku.
Kryetarja e Komisionit tha se si ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj ka marrë një kërkesë nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka për dhënien e bonusit për kompaninë “Integrated Energy”. Tabaku tha se fillimisht, Ermonela Felaj ka ngritur disa shqetësime të drejta.
“Ermonela Felaj si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin përmes një shkrese drejtuar ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Ka ngritur me të drejtë fillimisht që bonusi nuk mund të jepej pa u regjistruar në QKB kompania dhe që projekti të mos mbivendosej mbi një projekt japonez për menaxhimin e ujërave. Por, sekretarja e saj, Rovena Voda më pas i ka dërguar një e-mail Ministrisë së Mjedisit ku i thotë se zonja Felaj është dakord me dhënien e bonusit”, tha Tabaku.
Nënkryetarja e Komisionit u mbrojt duke deklaruar se ka kryer vetëm detyrën e saj si pjesë e Qeverisë, pasi bonusi është dhënë me vendim kolegjial të qeverisë dhe ka respektuar një vendim qeverie. Ndërkohë, kryetarja Tabaku renditi titullarët e disa ministrive dhe institucioneve të tjera që nuk i kanë kthyer përgjigje komisionit hetimor dhe paralajmëroi ngritjen e padive penale për ta.
“Për kryetarin të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro, ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve Ceno Klosi, drejtore e Përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit Pranvera Fagu, Arben Shehu kryetar i KLSH-së, Brunilda Lilo avokate e Përgjithshme e Avokaturës së Shtetit dhe Ledia Tota drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”, tha Tabaku.
“Rruga e butë ka përfunduar në këtë komision. Ju lutëm për këdo që nuk ka kthyer përgjigje brenda ditës të bëjë një padi për këto persona. Shumë e rëndësishme përgjigja e drejtorisë së Tatimeve, e theksoj. Një pjesë tjetër se një pjesë tjetër edhe mund t’i kemi këtu si dëshmitar në komision”, u shpreh ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje