Bota

India po vijon tregtinë e qymyrit me Rusinë duke përdorur monedhën kineze

India po vijon marrëdhëniet tregtare me Rusinë duke përdorur monedhën kineze, pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.

Prodhuesi më i madh i çimentos në Indi, UltraTech Cement (ULTC.NS), po importon ngarkesa me qymyr nga Rusia dhe po paguan duke përdorur monedhën kineze juan, sipas një dokumenti doganor indian të shqyrtuar nga Reuters.

Një metodë kjo e rrallë pagese që tregtarët thonë se mund të bëhet më e zakonshme.

UltraTech po merr 157.000 ton qymyr nga prodhuesi rus SUEK nga porti rus i Lindjes së Largët të Vanino, tregoi dokumenti që citon një faturë të datës 5 qershor që vlerëson ngarkesën në 172.652.900 juanë (25.81 milionë dollarë).

Dy burime tregtare të njohura me këtë çështje thanë se shitja e ngarkesës u organizua nga njësia e SUEK me bazë në Dubai, duke shtuar se kompani të tjera kanë bërë gjithashtu porosi për qymyrin rus duke përdorur pagesa në juan.

Përdorimi në rritje i juanit për të shlyer pagesat mund të ndihmojë në izolimin e Moskës nga efektet e sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë dhe të forcojë shtytjen e Pekinit për të ndërkombëtarizuar më tej monedhën dhe për të hequr dominimin e dollarit amerikan në tregtinë globale.

Burimet nuk pranuan të identifikohen pasi nuk janë të autorizuar të flasin për mediat. UltraTech dhe SUEK nuk iu përgjigjën një kërkese që kërkon koment, shkruan Reuters.

“Kjo lëvizje është domethënëse. Unë kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë ent indian të paguajë në juan për tregtinë ndërkombëtare në 25 vitet e fundit të karrierës sime. Kjo në thelb është duke anashkaluar USD (dollarin amerikan),” tha një tregtar i monedhës me bazë në Singapor.

Burimi: Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë