Ne rrjet

Industria e mbrojtjes së të pasurve, si paguhen miliarda për të fshehur triliarda

Kur Chuck Collins ishte 26 vjeç dhuroi të gjithë trashëgiminë e tij për grupe dhe organizata që punonin në fushën e barazisë sociale. I lindur në një familje të pasurish, Collins thotë se kontaktoi që në moshë të re biznesmenë e menaxherë të suksesshëm e të kamur, ku kuptoi se si këta e nxisnin edhe më tej pabarazinë.

Tani është një “njeri normal” që punon si pedagog në Institutin e Studimeve Politike në Uashington, që së fundmi ka nxjerrë librin me titull “Si i paguajnë miliarderët milionat për të fshehur triliardat”. Në këtë libër ofron një këndvështrim nga brenda për atë që e quan “industria e mbrojtjes së të pasurve”, e përbërë nga një koalicion profesionistësh, këshilltarësh, juristësh e llogaritarësh.

Në libër tregon se si ky koalicion funksionon përmes hapjes së kompanive guackë në parajsat fiskale për të mbrojtur nga taksat njerëzit e pasur. Për të gjitha këto, në një pjesë të mediave në SHBA është quajtur edhe si “tradhtari i shtresës së pasur”.

“Po! Ishte e pazakontë ajo që bëra unë, dhënia e të gjithë pasurisë për grupet që luftojnë për barazinë sociale. Këtu u kalua kufiri besoj. Mund të bësh çfarë të duash me pasurinë tënde, por kur vendos ta dhurosh atë për grupet që luftojnë për barazi sociale, po tradhton shtresën tëndë dhe pikërisht kështu duhet ta shohin edhe njerëzit”, thotë Collins.

Chuck Collins

Kur pyetet se çfarë dëshironte të arrinte dhe provonte me këtë vendim, edhe sot flet me pasiguri.

“S’e di nëse vërtet po përpiqesha të provoja diçka tjetër përveçse faktit se nuk doja të bashkëpunoja për thellimin e pabarazisë sociale, apo përfitoja prej saj. Mbase po mendoja se do ta gjeja vetë rrugën time, jo përmes trashëgimisë”, shprehet ai.

Të dhurosh miliona e miliona dollarë nuk duhet të jetë një vendim i lehtë, por Collins edhe sot nuk shpreh pendim. “Sinqerisht sot e kuptoj se paratë, ashtu si shumë gjëra të tjera në jetë janë vetëm një pjesë e avantazheve që jeta na ofron”, thotë ai.

Çfarë nënkupton Collins kur flet për “industrinë e mbrojtjes së të pasurve”? Së pari sqaron se ky nuk është term i tiji, por i Jeffrey Winters që e përdor në librin me titull “Oligarkia”.

“Ideja e tij është se çfarë e dallon një të pasur normal nga një oligark është se të gjithë oligarkët investojnë në industrinë e mbrojtjes së pasurisë së tyre. E përdorin pasurinë e tyre për për më shumë pushtet dhe pasuri, për të mbrojtur pasurinë që kanë, për të lobuar që të heqin qafe rregullat që s’u pëlqejnë dhe mund të them se njerëzit me pasuri mbi 30 mln dollarë fillojnë të investojnë në mbrojtjen e kësaj pasurie”, shpjegon Collins.

Shpjegon më tej edhe se si funksionon e gjithë kjo industri.

“Kur je i pasur mjaftueshëm njerëzit të vetëofrojnë shërbimet e tyre. Nëse ke para në bankë, apo të investuara diku të kontaktojnë shpejt ata që quhen këshilltarë investimesh duke të të pyetur: a e ke planin e taksave? Si do të minimizojmë taksat? Po përdor ndonjë bashkëpunim apo trust? A je i përgatitur që të shmangësh taksat e ndërtimit? Si mund të ngremë trust-e për fëmijët e tu dhe nipërit e palindur ende?”, thotë ai.

Collins e shpjegon edhe më tej, edhe më thjesht këtë ide.

“Është njësoj si të kesh dikë që të të pastrojë pishinën. Këta janë shërbëtorët financiare, por ndryshe nga ai pastruesi i pishinës me shumë më shumë pasuri. Kam me qindra e mijëra prej tyre, që ngrihen në mëngjes dhe ja përkushtojnë ditën të pasurve dhe si e si t’i ndihmojnë ata që të shmangin taksat e të bëhen akoma më të pasur. Nuk janë aq të pasur sa klientët e tyre, por janë goxha të pasur. Paguhen me miliona, që të fshehin miliarda”, deklaron Collins.

Burimi: ICIJ – International Consortium of Investigative Journalists. Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë