Mazhoranca dhe opozita në Parlament treguan pak ndasi për nevojën e reformave që duhen ndërmarrë në rrugën e integrimit, megjithëse dallimet e forta u shpërfaqën në leximin e progresit të deritanishëm dhe të raporteve vendase dhe ndërkombëtare, sidomos sa i takon luftës kundër korrupsionit.
Në Këshillin Kombëtar të Integrimit, përmes kryetares së këtij Këshilli, Jorida Tabaku, Partia Demokratike vuri theksin te nevoja e reformës zgjedhore dhe nënkuptoi se kjo reformë po pengohet nga mungesa e vullnetit politik nga ana e socialistëve.
“Ne të gjithë biem dakord që duhet vullnet politik. Disa nga konkluzionet tona këtu janë teknike dhe të tjerat politike. Nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë as ndaj proceseve që janë jashtë dorës sonë. Ne duhet të bëjmë punën tonë këtu, pavarësisht se një datë për negociatat, ndoshta nuk është në dorën tonë”, tha Tabaku.
“Edhe pse nuk është në dorën tonë ngecja e procesit të zgjerimit për arsye që më parë nuk kanë ekzistuar. Ne nuk fshihemi ndaj vetos së Bullgarisë, sepse Bullgaria e ka bërë të qartë që nuk ka asgjë me Shqipërinë. Nuk dua të replikoj, ajo që për mua ka rëndësi është që Këshilli Kombëtar i Integrimit të flasë në një zë”, iu kundërpërgjigj Balla.
Me anë të anëtares Grida Duma, Partia Demokratike theksoi nevojën e reformës në administratën zgjedhore, që në këndvështrimin e saj është e mbushur me militantë partiakë, çka ka rritur kostot në buxhetin e shtetit.
“Sot kemi dy administrata, një që merr rrogën me anë të vendimeve të gjykatave për heqjen e paligjshme dhe një tjetër që bën realisht punën”, tha Duma, duke shtuar se në krahasim me 2013, buxheti vetëm për administratën është dyfishuar duke shkuar në mbi 600 mln euro në vit.
Nevojën për reformimin e administratës publike e theksoi edhe kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi.
“Rritja e kapaciteteve të punonjësve të administratës publike është prioritet. Janë bërë shumë trajnime. Bazuar në urdhrin e kryeministrit, tryeza e diskutimit i hapin rrugës ngritjes së bordit drejtues. Ndihet nevoja për përfshirjen më aktive të shoqërisë civile dhe duhet edhe bashkëpunim i pushtetit lokal. Ata duhet të marrin një rol më proaktiv. Ky është një proces sfidues për të gjithë ne dhe vendin tonë. Thelbi është tek përgjegjësia dhe llogaridhënia, duhet durim strategjik”, tha Mazi.
Kryenegociatori u shpreh se ka një dakordësi të plotë në BE për kuadrin negociues me Shqipërinë, ndërsa tha se BE nuk mund të shtyjë edhe më tej përcaktimin e një date për hapjen e negociatave.
“Sot pritet miratimi i kuadrit negociues i BE-së për Shqipërinë. 27 vendet janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë, ka mbetur miratimi formal. Nuk mundet më Unioni që mos të përcaktojë datën. Ne e kemi përgatitur kuadrin tonë negociues për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ky dokument është pothuajse gati. Jemi gati për t’u ulur në tavolinë. Ka një lloj konfliktualiteti mes presidentit të RMV-së dhe Bullgarisë”, tha ai.
Ndërkohë, socialisti Eduard Shalsi dhe demokratja Grida Duma ngritën që të dy shqetësimet për performancën e ulët në tërheqjen e fondeve të Bashkimit Europian në krahasim me vendet e rajonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje