Futboll

Interi, Bajerni dhe Reali në fushë me tifozët, një kupë për heronjtë

Me iniciativën e Interit, do të organizohet “European Solidarity Cup – Football for Heroes” (Kupa e Solidaritetit Europian – Futboll për heronjtë”. Pjesëmarrës në këtë event do të jenë edhe dy nga klubet më të mëdha në Europë, Bajern Mynih dhe Real Madrid. Është menduar që në vitin 2021 të organizohet kjo kupë me qëllim dhënien e një mesazhi solidariteti dhe evidentimin e rëndësisë së kohezionit mes vendeve europiane, duke dhënë gjithashtu edhe një ndihmë konkrete për spitalet.

Tre klubet e njohura do të ndeshen mes tyre në një turne, ku secili nga qytetet e këtyre tre klubeve do të jetë pritës një herë. Në Milano do të luhet Inter-Bajern Mynih, në Madrid Interi do të sfidojë Realin, ndërsa në Mynih bavarezët do të presin spanjollët. Datat e ndeshjeve do të fiksohen në bazë të kalendarit të impenjimeve të këtyre tri skuadrave dhe sapo të lejohet pjesëmarrja e tifozëve në stadiume. Të ardhurat nga biletat do të shkojnë për spitalet, për ata që kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.

Njoftimi i Interit në Tuiter për aktivitetin. Gazeta Si, 19 maj 2020

“Pandemia goditi me shumë forcë popujt e gjithë botës. Impenjimi i madh i personelit sanitar ka qenë i jashtëzakonshëm dhe esencial për të përballimin e situatës. Me këtë iniciativë duam të falënderojmë mjekët dhe infermierët për punën e tyre dhe në të njëjtën kohë të japim një mesazh bashkimi dhe solidariteti mes kombeve”, – ka thënë Steven Zhang, presidenti i Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë