Futboll

Interi dhe Napoli “zihen” për një grek, Olimpiakosi do 20 mln euro

Me ndërprerjen e kampionateve ka më shumë kohë për skautët dhe menaxherët. Nuk ka ndeshje për të parë nga afër, por material për të analizuar ka sa të duash. Interi, sipas shtypit spanjoll, vazhdon të këmbëngulë për Mauro Arambarrin, mesfushorin 24-vjeçar uruguaian, i ndjekur nga zikaltërit edhe dy sezone më parë.

Një profil i ri lojtari në listën e merkatos së Interit vjen nga Greqia. Po ndiqet me shumë vëmendje nga drejtuesit zikaltër Kostas Tsimikas, mbrojtës i krahut të majtë i Olimpiakosit, i cili ka pasur një rritje konstante periudhën e fundit. Lojtari grek mbush 24 vjeç në maj dhe nga klubi i Olimpiakosit vlerësohet në këtë moment 20 milionë euro. Një shifër relativisht e lartë kjo për një mbrojtës, por vlera e tij është rritur, duke parë interesin edhe të klubeve të tjera.

Kostas Tsimikas, 23 vjeç, me fanellën e Olimpiakosit. Gazeta Si, 18 mars 2020

Para Interit, për Tsimikas është futur në lojë edhe Napoli, që kërkon ta bashkojë mbrojtësin e majtë me patriotin e tij, Kostandinos Manolas. Paraqitja e mirë e lojtarit të ri të Olimpiakosit në Kupat e Europës ka bërë që sytë e shumë menaxherëve të fokusohen tek ai dhe menjëherë në garë janë vënë dy klube të mëdha italiane si Interi dhe Napoli. Vite më parë Interi ka pasur në përbërje një mbrojtës të majtë nga Greqia, Jorgatosin. Mbetet për t’u parë kush do ta fitojë garën për 23-vjeçarin grek.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë