Futboll

Interi humb kapitenin Handanoviç, slloveni rezulton pozitiv me Covid-19

Pas D’Ambrozios, edhe portieri i Interit, Samir Handanoviç, ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Slloveni kishte rezultuar negativ në tamponin e kryer dje, si gjithë lojtarët e tjerë, por sot nuk u paraqit në stërvitje, sepse kishte temperaturë. Dhe pas testit të bërë gjatë paradites, Handanoviç ka marrë përgjigjen që nuk dëshironte.

Portën e Interit do ta mbrojë të shtunën, ndaj Sasuolos, Ionut Radu, i kthyer në bazë verën e kaluar, pas një pjese të parë të vitit te Xhenoa. Portieri 23-vjeçar rumun nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon. Interesant është fakti se të vetmen ndeshje me fanellën e Interit ai e ka luajtur në maj të 2016-ës pikërisht ndaj Sasuolos. Në atë rast zëvendësoi Karricon e dëmtuar, nuk pësoi gol, por zikaltrit humbën 3-1. Handanoviç ishte i skualifikuar në atë ndeshje.

Portieri i Interit, Samir Handanoviç. Gazeta Si, 17 mars 2021

Interi mund të ngushëllohet me faktin se pas ndeshjes të së shtunës do të jetë ndërprerja e kampionatit për shkak të impenjimeve të kombëtareve, kështu që kapiteni Handanoviç mund të kthehet për sfidën e 3 prillit në shtëpi ndaj Bolonjës.

Kanë dalë negativë ndërkohë ditët e fundit drejtuesit e klubit zikaltër, financieri Antonelo, avokati Kapelini, drejtori ssportiv Auzilio, zëvendësi i tij Baçin dhe një pjesëtar i stafit të Kontes. Të gjithë dolën pozitivë pas derbit me Milanin. Vazhdon të jetë ende pozitiv administratori sportiv Bepe Marota.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë