Që e ardhmja e Miralem Pjaniç është larg Barcelonës, është kuptuar me kohë. Boshnjaku është jashtë planeve të trajnerit Koeman dhe klubi po mendon për ta sistemuar sa më parë. PSG-ja mbetet e interesuar për mesfushorin, por më shumë mundësi ka që ai të kthehet në Itali.
Është folur për rikthimin te Juventusi, por peshon paga e Pjaniç prej 7 milionë eurosh neto në sezon. Lojtari është gati të sakrifikojë nga paga për të qenë gjithmonë në fushë dhe në garë tashmë ka hyrë edhe Interi, siç bën me dije shtypi spanjoll. Pjaniç shihet si një alternativë e mirë nga zikaltrit, por më parë ata duhet të lirohen nga Arturo Vidal, duke parë pagën dhe rendimentin e këtij të fundit sezonin që shkoi.

Në kërkim të një mesfushori sulmues është edhe Milani. Ka pasur shumë emra për zëvendësuesin e mundshëm të Çalhanoglu, si Vlasiç, Iliciç, Isko, Ziesh, Koutinjo dhe Hames Rodrigues. I fundit që është shtuar në këtë listë është gjermani Julian Brandt, një lojtari që po ndiqet edhe nga Lacio dhe Igli Tare. Trekuartisti i Borusia Dortmund mund të luajë edhe si sulmues anësor.
Brandt nuk luan titullar me Borusian dhe mund t’i bashkohet Milanit me formulën e huazimit për 5 milionë euro dhe të drejtën e blerjes në rreth 22 milionë euro. Një formulë që klubi gjerman e ka pranuar edhe në kontaktet që ka pasur me Lacion. Lojtari dëshiron të luajë në vazhdimësi dhe është gati që të transferohet në Itali.
Frederik Masara e ndjek prej shumë kohësh, që kur ishte drejtor sportiv i Romës. Shifrat e operacionit janë të përballueshme për Milanin, që është të shpejtojë bisedimet me Borusian dhe priten zhvillime konkrete këto ditë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje