Brenda një kohe të shkurtër, “Gazzetta dello Sport” ka shkruar disa herë për mbrojtjen e Interit, duke lakuar emrin e Marash Kumbullës, mbrojtësit shqiptar që kërkohet nga disa nga klubet më në zë në Itali, Gjermani dhe Angli. 20-vjeçari pëlqehet shumë nga trajneri Antonio Konte, por në mes është futur sulmuesi belg, Romelu Lukaku, i cili sponsorizon patriotin e tij, Vertongen.
Interi ka një mbrojtjes solide me treshen Bastoni-De Vrij-Skriniar, të përzgjedhur nga trajneri italian për sezonin e ri, pasi Godin nuk e ka bindur. Por Konte kërkon alternativa të tjera dhe në krye të listës ka Marash Kumbullën, xhevahirin shqiptar që luan te Verona. Ai është një nga surprizat e Serisë A dhe për këtë arsye shumë klube janë vënë në gjurmët e tij. Përveç Interit, janë Napoli dhe Fiorentina që e ndjekin, por edhe klube jashtë Italisë. Paraqitja e mirë në 18 ndeshje dhe një gol i shënuar kanë bërë që vlera e Kumbullës të jetë 20 milionë euro dhe drejtuesit zikaltër duhet të marrin një vendim, nëse do të investojnë edhe për mbrojtjen shuma të rëndësishme.

Kumbulla e ka treguar që në sezonin e parë në Serinë A se është i përshtatshëm për Interin e Zhang, që duhet të jetë më i ri në moshë dhe fitues. Por mbrojtësi shqiptar ka një konkurrent të fortë, belgun e Totenhemit, Jan Vertongen, i cili pritet të largohet nga klubi anglez dhe në këtë rast ka ndihmën e sulmuesit Lukaku për t’u veshur zikaltër.
Vertongen ka përvojë dhe Marota e Auzilio, me një aleat special si Lukaku, po e shohin edhe këtë pistë. Futbollisti belg njeh mirë edhe mesfushorin Eriksen, me të cilin ka luajtur në Londër te Totenhemi, por edhe në Holandë me Ajaksi. Nga Anglia në Itali, një rrugë që Interi e ka ndjekur shumë këto kohët e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje