Protokolli për rifillimin e stërvitjes kolektive vazhdon të diskutohet dhe të shihet me dyshim nga klubet e Serisë A. “Sportmediaset” shkruan se klubi i Interit nuk është i bindur se mund t’i zbatojë rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik Shkencor dhe të aprovuara nga Federata Italiane e Futbollit.
Informacioni ka rrjedhur nga burime pranë klubit zikaltër. Drejtuesit e Interit shohin vështirësi serioze në aplikimin e protokollit. Vështirësitë janë të mëdha në logjistikën për sa i takon grumbullimit para kampionatit, sipas klubit zikaltër. Protokolli, sipas Interit, duhet riparë, sepse është i paaplikueshëm dhe nëse nuk ka ndryshime, zikaltrit mund të vendosin të mos grumbullohen. Një pozicion që duket se e mbështesin edhe klube të tjera të Serisë A.
Prej së hënës së 18 majit, skuadrat mund të kthehen të stërviten me grupe në qendrat e tyre sportive, por duhet ta bëjnë këtë gjë sipas disa rregullave të forta, të vendosura nga ekspertët e qeverisë dhe të miratuara edhe nga federata. Vetëm pas dy javësh stërvitje të blinduar mund të jepet miratimi për ndeshjet, sigurisht me dyer të mbyllura. Liga ka kërkuar që kampionati të rinisë më 13 qershor.
Dyshime për aplikimin e protokollit janë hedhur ditët e fundit edhe nga mjekët socialë, si dhe nga Shoqata e Futbollistëve. Opinioni është i ndarë dhe mbetet i lartë rreziku për një ndalesë tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje