Futboll

Interi shpallet kampion i Italisë pas 11 vitesh, shpërthen festa zikaltër

Barazimi i Atalantës ndaj Sasuolos ka bërë që Interi të shpallet kampion i Italisë për sezonin 2020-2021. Një titull që vjen pas 11 vjetësh dhe është i 19-ti në historinë e klubi ziklatër. Pas fitores 0-2 në Krotone të shtunën, Interi nisi festën, por duhej që Atalanta të mos fitonte sot për ta shpallur matematikisht kampion. Dhe kështu ka ndodhur, teksa skuadra e Gjimshitit nuk shkoi më shumë se barazimi ndaj Sasuolos.

Atalanta, që mbeti me 10 vetë pas daljes më të kuq të portierit Golini pas 23 minutash, shënoi me Gosens, por Sasuolo barazoi me penallti me Berardin. Bergamaskët humbën edhe një penallti me Muriel dhe gjithçka u mbyll 1-1, çka i dhuroi Kontes titullin e parë në stolin e Interit dhe të katërtin si trajner, pas tre titujve të fituar me Juventusin.

Interi kampion i Italise. Gazeta Si, 2 maj 2021

Familja Zhang mund të festojë dyfish, sepse është pronarja e parë e huaj e një klubi që fiton një titull në Serinë A. Për festën e madhe të titullit, deri sot në mëngjes nuk ishte programuar asgjë. “Nëse shpallemi kampionë, një festë spontane, jo e organizuar”, – kanë thënë disa nga pjesëtarët e grupimit “Curva Nord”. Asgjë nuk ka ndryshuar më pas dhe populli zikaltër është i lirë të festojë, me shpresën se do të respektojë rregullat anti-Covid.

Kuptohet lehtë se “Piazza del Duomo” dhe pjesa jashtë stadiumit “Meazza” janë më të nxehta se kurrë në këto momente. Është dita e tyre. Festa e madhe në fakt pritet të bëhet në ndeshjen me Udinezen. “Nuk e përjashtojmë praninë tonë të shtunën e ardhshme kundër Sampdorias, por gjithmonë në autonomi, kurse për javën e fundit të kampionatit do të bëjmë diçka të veçantë”, – kanë shtuar tifozët e Interit.

Në çdo rast, asgjë nuk ndryshon. Festa ka filluar që sot, sepse Interi është zyrtarisht kampion i Italisë. Ajo që kërkohet ka të bëjë më faktin që festimet të jenë Brenda limiteve, në respekt të situatës dhe këtij momenti historic për klubin zikaltër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë