Politike

Intervista e Metës në televizionin bullgar për sigurinë, infrastrukturën dhe kufijtë në Ballkan

Në një intervistë dhënë për televizioni publik bullgar, Presidenti Ilir Meta u pyet mbi tre çështje. E para lidhej me sigurinë në Ballkanin Perëndimor nën dritën e agresionit rus në Ukrainë.

“E gjithë arkitektura e sigurisë globale do të ndryshojë dhe do të përshtatet pas këtij agresioni të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus kundër Ukrainës, pasi ky është një precedent i tmerrshëm i krijuar nga një aktor shumë i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Arkitektura e sigurisë europiane, natyrisht, do të duhet t’i përshtatet këtij realiteti. Shumë vende, përfshirë anëtarë të NATO-s do të duhet të rregullojnë politikat e tyre të mbrojtjes dhe të sigurisë. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu pjesë e kësaj përshtatje me situatën e re”, tha ai.

Çështja e dytë për të cilën u pyet Presidenti lidhej me Korridorin 8, një projekt infrastrukturor që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, për të cilin është premtuar financimi nga Brukseli në kuadër të programit të ndihmës prej 30 mld eurosh në shtatë vitet e ardhshme.

Meta e vlerësoi këtë projekt të dobishëm jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për sigurinë rajonale.

“Ne nuk duhet ta marrim si të mirëqenë atë që është arritur deri tani për të vendosur paqen, por të kujdesemi për ta ruajtur dhe konsoliduar atë; të punojmë së bashku për të mbetur një rajon i sigurt, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe tërheqës për zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm, për të përfituar nga kjo situatë, që ta bëjë rajonin një mjedis më të rëndësishëm për investime, siguri energjetike dhe korridore interaktive”, shtoi ai.

Në fund, Meta foli për debatet për ndryshim kufijsh. Këtu përsëriti qëndrimin kundër.

“Ne e dimë se sa shumë ka vuajtur Ballkani dhe e gjithë Europa nga këto lojëra të çmendura të ndryshimit të kufijve që kanë shkaktuar lumenj gjaku në rajonin tonë, në të cilat fatkeqësisht janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë të BE-së. Në këtë kontekst, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të përkushtuara ndaj vlerave të pakontestueshme të BE-së. Zgjidhja nuk mund të jetë kurrë ndryshimi i kufijve por vetëm heqja e kufijve në bazë të të modelit të Europës së Bashkuar. Kjo në radhë të parë”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë