Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cila sot mban detyrën e anëtares së Gjykatës së Apelit Tiranë, ka dalë sot para Vettingut.
Beçaj ka rezultuar se ka probleme me dorëzimin e disa formularëve, pasi nuk i ka dorëzuar në kohë.
Sipas KPK, Beçaj nuk ka depozituar në KLD formularin për vetëvlerësimin profesional as brenda afatit, dhe as më pas, në kohën kur do të bëhej gjyqtare e Apelit të Tiranës.
Po ashtu Shpresa Beçaj, nuk ka dorëzuar në KPK ndonjë kërkesë për rivlerësimin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Ndërkohë ajo detyrën në Apel e ka marrë pikërisht kur kishte nisur Vettingu.
Gjithashtu një tjetër formular me të cilin ka probleme Beçaj, është deklarata e pasurisë që nuk i është dorëzuar në ILDKPI duke mospërmbushuar detyrimet ligjore. Po ashtu, as në DSIK Beçaj nuk i ka dorëzuar formularët.
Por rasti i saj sipas avokatit Julian Mërtiri është rast unik në vendin tonë, pasi ai sqaron se Becaj ndodhet në një situatë që ligji nuk e ka parashikuar vetimin.
Sipas tij, në kohën kur hyri në fuqi ligji për rivlerësimin kalimtar Shpresa Beçaj nuk ushtronte detyrën e gjyqtares.
Ai shton se e gjithë kjo situatë është shkaktuar për shkak të mosveprimeve të KLD.
“Shpresa Beçaj është pjesë e sistemit gjyqësor prej më shumë se 33 vitesh. Në 1987 është emëruar në Gramsh. Me tej ka qenë gjyqtare në Tiranë. Në 2004 u bë pjesë e Gjykatës së Lartë. Në 2008 u bë kryetare e Gjykatës së Lartë. E ushtroi deri në 2013 detyrën. Pas largimit nga funksioni ajo dorëzoi deklaratën e saj në ILDKPK.
Në tetor 2013 paraqiti kërkesë në KLD për emërim në Apelin e Tiranës. KLD në mënyrë arbitrare nuk e mori në shqyrtim për 5 vite. Në këto kushte Beçaj bëri padi në Administrative. Në korrik 2016 Administrativja detyronte KLD-në të marrë në shqyrtim kërkesën e Beçajt dhe pagimin e dëmit të shkaktuar.
Në Apelin Administrativ në 2017 u vendos të detyrohet KLD të emëronte Beçajn në Apelin e Tiranës dhe ta dëmshpërblente për dëm pasuror e moral. KLD kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit në Gjykatën e Lartë, kërkesë që nuk u pranua nga kjo gjykatë. KLD në maj 2018 zbatoi vendimin e Apelit Administrativ. Beçaj ka nisur punë në 4 qershor 2018. Ka depozituar deklaratën e saj në ILDKP. Në kohën kur hyri në fuqi ligji për rivlerësimin kalimtar nuk ushtronte detyrën e gjyqtares. Pra Beçaj nuk ka pasur statusin e gjyqtares në detyrë. Ajo ka ushtruar detyrën e avokates për të siguruar të ardhura”, ka sqaruar avokati Julian Mërtiri.
Avokati shtoi ndër të tjera se emri i Beçajt nuk ka qenë në listën e subjekteve të rivlerësimit. Sipas tij, analiza e fakteve nga KPK nuk është e saktë.
“Në asnjë nga datat e afatit kur Beçaj duhet të dorëzonte formularët për llogari të procesit të vettingut ajo nuk kishte statusin e gjyqtares në detyrë. Nga ana tjetër, ligji nuk parashikon dorëzim të formularëve pas afatit të parashikuar. Beçaj shpreh dëshirën për t’u vetuar, nuk ka shfaqur asnjë neglizhencë, por ndodhet në një situatë që ligji nuk e ka parashikuar. I kërkojmë komisionit të vlerësojë situatën ligjore në të cilën ndodhet Beçaj, unike në vend, për shkak të rrethanave të pavarura prej saj. E gjithë kjo situatë është shkaktuar për shkak të mosveprimeve të KLD. Nëse komisioni gjen mundësi ligjore për plotësimin e formularëve në një moment të dytë ne jemi të gatshëm, por sipas nesh, kjo mundësi ligjore nuk ekziston”, thotë avokati.
Beçaj ka deklaruar përpara KPK-së se është shumë e indinjuar për atë që e quan shkelje kushtetute nga ana KLD-së.
“Unë e kam konsideruar veten time si gjyqtare, pasi nuk ka pasur asnjë akt që të konstatojë përfundimin apo ndërprerjen e statusit tim si gjyqtare, por nga ana tjetër unë nuk ushtroja funksionin e gjyqtares. Kjo për faktin se KLD nuk merrte në shqyrtim kërkesën time për t’u emëruar në Apel. Unë kam shkuar në ILDKPKI për të depozituar formularët, por më kanë thënë që nuk isha pjesë e subjekteve. Jam tepër e indinjuar”, ka deklaruar ndër të tjera Becaj para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Shpresa Beçaj ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Lartë në vitet 2004-2013 dhe kryetare e Gjykatës së Lartë në vitet 2008-2013. Ndërsa gjyqtare e Apelit Tiranë është caktuar muajt e fundit. Në 1987 Beçaj ka qenë gjyqtare në qytetin e Gramshit, ndërsa në 1990 u emërua gjyqtare në Tiranë.
Vendimi për gjyqtaren Beçaj do të jepet më 3 korrik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje