Lajme

Ish-ministri Tahiri te Krimet e Rënda për seancën paraprake

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka mbërritur në orën 09:45 në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në shoqërinë e avokatit të tij Maksim Haxhia, ku do të zhvillohet seanca paraprake. Një detaj që ka tërhequr vëmendjen lidhet me volumin e dosjes së Tahirit, e cila përmban 53 fashikuj, duke detyruar punonjësit që t’i transportojnë në seancën gjyqësore me “karrocë”.
Pesë ditë më parë seanca u shty për shkak se prokuroria nuk kishte njoftuar të pandehurit e tjerë. Teksa seanca dështoi, avokati Maksim Haxhia, në një prononcim për mediat la të hapur mundësinë për të kërkuar gjykim të shkurtuar.
Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj. Në përgjime flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për t’i dhënë një personi me emrin Saimir dhe bizhuteri gruas së tij. Pas hetimeve prej më shumë se një viti prokuroria italiane nuk gjeti prova që implikojnë ish-ministrin shqiptar të Brendshëm, duke kërkuar arkivimin ose mbylljen e çështjes, ndërsa në Shqipëri vijon që të jetë ende në hetim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë