Bota

Ish-oficeri rus tregon torturat ç’njerëzore ndaj të burgosurve ukrainas

Gazeta Si – Një ish-oficer rus, Konstantin Yefremov, denoncoi marrjen në pyetje brutale, torturat, kërcënimet për përdhunim dhe të shtënat e kryera nga forcat ruse në Ukrainë, gjatë një interviste për BBC.

“Marrja në pyetje dhe torturat vazhduan për rreth një javë. – tha ai. – Çdo ditë, natën, ndonjëherë dy herë në ditë”.

Ish-togeri, i cili tani shihet në shtëpi si tradhtar dhe dezertor, tha se ai ishte dëshmitar i disa krimeve, duke përfshirë torturimin dhe keqtrajtimin e të burgosurve ukrainas.

Më 10 shkurt 2022, Yefremov u dërgua në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia nëntë vjet më parë.

Ai ishte në krye të një njësie të çminimit të Divizionit të 42-të, me bazë zakonisht në Çeçeni.

Ai dhe njerëzit e tij u dërguan për të marrë pjesë në “stërvitje ushtarake, – tha ushtaraku rus. – Në atë kohë askush nuk besonte se do të kishte luftë. Të gjithë menduan se ishte thjesht një stërvitje. Jam i sigurt se as oficerët e lartë nuk e dinin”.

Yefremov kujton se kishte parë trupat ruse duke vendosur shenja identifikimi në uniformat e tyre dhe duke pikturuar shkronjën “Z” në pajisjet dhe automjetet ushtarake, simbolin e asaj që për Kremlinin është “operacioni i tij special ushtarak”.

Yefremov vendos “të largohet. Shkova te komandanti im dhe i shpjegova pozicionin tim. Ai më çoi te një oficer i lartë që më quajti tradhtar dhe frikacak, – kujton. – Lashë armën, hipa në një taksi dhe u largova. Doja të kthehesha në bazën time në Çeçeni dhe zyrtarisht të jepja dorëheqjen, kisha lajmëruar edhe policinë”.

Grupi i Yefremov u transferua më pas për të ruajtur “një seli logjistike” në qytetin e Bilmak, në verilindje të Melitopolit.

Këtu ai ishte dëshmitar i marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të burgosurve ukrainas. “Një ditë u sollën atje tre të burgosur. Njëri prej tyre pranoi se ishte snajper. Duke dëgjuar këtë, koloneli rus humbi mendjen. Ai e goditi, i uli pantallonat ukrainasit dhe e pyeti nëse ishte i martuar. ‘Po’, u përgjigj i burgosuri”.

“Atëherë dikush më merr një leckë”, tha koloneli. “Ne do të të kthejmë në një vajzë dhe do t’ia dërgojmë videon gruas tënde”.

Një herë tjetër, sipas Yefremov, i njëjti kolonel i kërkoi një të burgosuri të emëronte të gjithë nacionalistët ukrainas në njësinë e tij.

“Ukrainasi nuk e kuptoi pyetjen. Ai u përgjigj se ushtarët ishin këmbësoria detare e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Ata i hoqën disa dhëmbë për këtë përgjigje”.

Yefremov shpjegoi se i burgosuri ukrainas kishte një sy të lidhur. Koloneli i vuri armën në ballë të burgosurit dhe i tha” ‘Numëroj deri në tre dhe pastaj do të të qëlloj në kokë’. Ai numëroi dhe më pas qëlloi vetëm në anën e kokës, nga të dyja krahët. Koloneli filloi t’i bërtiste. Unë i thashë: ‘Shoku kolonel! Ai nuk ju dëgjon, e keni bërë të shurdhër!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë