Bota

Ish-shefi i CIA-s: Nëse Putini përdor armë atomike, do eliminojmë forcat ruse

Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e NATO-s, do të “eliminonin” forcat ruse në Ukrainë, nëse presidenti rus Vladimir Putin vendos të përdorë armë bërthamore në vendin fqinj të pushtuar pjesërisht.

Kështu deklaroi gjenerali në pension dhe ish-kreu i CIA-s, David Petraeus, duke folur për mediat amerikane.

Për Petraeus-in, fuqitë perëndimore duhet t’i marrin seriozisht kërcënimet e armëve bërthamore të Rusisë.

“Vetëm për t’ju dhënë një supozim” në ktë rast, “unë mendoj se do të përgjigjemi duke eliminuar çdo forcë konvencionale ruse që mund të shohim dhe identifikojmë në fushën e betejës në Ukrainë dhe gjithashtu në Krime dhe çdo anije në Detin e Zi”, shpjegoi Petraeus.

Një sulm bërthamor, “nuk mund të kalonte pa përgjigje. Por nuk duhet të jetë një përgjigje më e madhe: nuk do të ishte një përgjigje bërthamore pas një sulmi bërthamor. Nuk duhet të hyjmë në një përshkallëzim bërthamor përsëri, por duhet të tregojmë se kjo nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë”.

Edhe shefi i Pentagonit, LLoyd Austin, në një intervistë për CNN ka komentuar kërcënimet bërthamore të presidentit rus.

“Për të qenë i qartë, ai që vendos është një. Nuk ka kontroll mbi Putinin. Ndërsa mori vendimin e papërgjegjshëm për të pushtuar Ukrainën, ai mund të merrte një tjetër. Megjithatë, në këtë moment nuk shoh asgjë që më bën të besoj se ai tashmë ka marrë një vendim të tillë”, – tha Austin.

Ai dënoi “aneksimet e paligjshme të territorit ukrainas” dhe i quajti kërcënimet e Putinit për të përdorur “çdo mjet në dispozicion” një “deklaratë të papërgjegjshme”.

“Ky kërcënim bbërthamore nuk është ajo që do të prisnim të dëgjonim nga udhëheqësit e vendeve të mëdha me aftësi atomike”, – shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë