Politike

Ish-udhëheqësit e UÇK në Hagë, Vuçiç kërcënon me luftë! Majko: Serbia është i vetmi rrezik i rajonit

Në kohën që ish-udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballen në Hagë me akuza të rënda për krime lufte, nga Beogradi mbërrijnë kërcënime lufte.

Vetë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç adresoi tërthorazi në drejtim të Prishtinës kërcënimin e një konflikti të armatosur, duke sjellë si shembull luftën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno-Karabakh.

“Është e rëndësishme të them se konflikti në Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Ne nuk duhet t’u lëmë pas fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë”, deklaroi ai.

Vuçiç paralajmëroi se situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt në vazhdim. Ndërkohë, paralelja e hequr nga Vuçiç mes Kosovës dhe Nagorno-Karbakh është qortuar në Tiranë. Pandeli Majko, që gjatë krizës së refugjatëve ishte Kryeministër i Shqipërisë e cilësoi si papërgjegjshmëri.

Majko thotë se rreziku real i rajonit është vetëm Serbia dhe këto deklarata të Vuçiç bien ndesh me zotimet e firmosura prej tij në Shtëpinë e Bardhë dhe me ambicien për integrimin europian.

“Deklarimi i Presidentit të Serbisë për karakterizimin e marrëdhënieve me shtetin e Kosovës me statusin e konfliktit të ngrirë të Nagorno-Karabakhut është i papërgjegjshëm! Jeta e dyfishtë e Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare është rreziku real për stabilitetin rajonal! Presidenti Vuçiç përcaktoi se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende dhe e konsideron atë “të ngrirë”. Deklarimi i Presidentit serb për “konfliktin e ngrirë” është shmangie e deklaratës së firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesit të integrimit europian”, tha Majko.

Ish-Kryeministri, që aktualisht mban postin e ministrit të Diasporës në Shqipëri nënkupton se të tilla deklarata nuk mund të intimidojnë shqiptarët dhe mendje e ftohta në Serbi e dinë këtë.

“Mendje të ftohta logjistike në Serbi e kuptojnë gatishmërinë e shqiptarëve në disa shtete nëse dikush i shkon pas idesë se skenarit të konfliktit. Atij do t’i dihet fillimi, por jo fundi”, u shpreh Majko.

Deklaratat e Vuçiç u kritikuan edhe në Prishtinë, ku njëkohësisht u kërkua ndërkombëtarëve që të reagojnë për t’i dënuar ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë