Një sezon mjaft i komplikuar për lojtarin e Realit, Isko. Në fillim mosmarrëveshjet me Lopeteguin, më pas me Solarin dhe tani vërshëllimat e tifozëve të Realit gjatë ndeshjes me CSKA-në e Moskës. Duket sezoni i tij i fundit në Madrid.
“Dielli duket që në mëngjes”, – thotë një shprehje e vjetër dhe kushedi çfarë ka parë Isko në fillim të sezonit. Lamtumirat e Zidane dhe Kristiano Ronaldo e kanë errësuar ambientin te Reali. Presidenti Florentino Perez e ka mohuar këtë fakt në muajt e parë, por javë pas është i detyruar të përballet me kritika të ashpra. Në frulatorin e Realit ka përfunduar edhe Isko. Lopetegui e ka përdorur me “pikatore”, pastaj problemi me apendicitin, por edhe kur ishte në gjendjen e duhur fizike, muzika nuk ndryshoi. Me Solarin ka luajtur vetëm copa ndeshjesh, pa lënë gjurmë. Trajneri argjentinas e konsideron një zgjedhje të dytë dhe kjo është vërtetuar edhe në ndeshjen me CSKA-në. Isko ishte titullar në një ndeshje, që nuk kishte rëndësi dhe kjo gjë e ka bërë mjaft nervoz.

“As” shkruan se publiku në “Bernabeu” ka kontestuar skuadrën në fund të pjesës së parë, që u mbyll me avantazhin e dyfishtë të rusëve. Atmosfera është ndezur më shumë në minutën e 55-të, kur Vinicius shërbeu bukur për Iskon dhe ky i fundit nuk arriti të shënonte, pasi topi u devijua nga një mbrojtës. Goditja e këndit nuk u akordua dhe mesfushori kontestoi vendimin e arbitrit, ndërkohë që tifozët filluan ta bezdisnin. Mjaft nervoz, Isko u kthye nga tifozët, duke bërtitur: Çfarë doni? Por reagimi ishte më i fuqishëm dhe tifozët e mbytën me vërshëllima.
Ambienti te Reali është trazuar dhe Isko duket se e ka të pamundur të qëndrojë. Ai kërkon të luajë rregullisht, por nuk ka hapësirë dhe largimi është shumë pranë. Për Iskon janë të interesuar për momentin Juventusi dhe Mançester Siti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje