Politike

ISP: Injorimi i standardeve të dekriminalizimit, përgjegjësi jo individuale por e partive dhe e lidershipit të tyre

Instituti i Studimeve Politike thotë se ngjarja kriminale e ditëve të fundit në Krujë dhe vendimi pasues i deputetit Rrahman Rraja (PS) për të dhënë dorëheqje nga mandati parlamentar rikthejnë edhe njëherë rëndësinë e aplikimit integral dhe emergjent të standardeve të plota të dekriminalizimit dhe të integritetit nga partitë politike parlamentare.

“Qëllimi në një proces elektoral nuk është vetëm fitorja, por mbi të gjitha integriteti dhe legjitimiteti i procesit, shndërrimi i zgjedhjeve në zgjidhje, ku cilësia e produktit përfaqësues zë vend thelbësor.

Instituti i Studimeve Politike (ISP), si organizatë që monitoron dekriminalizimin, integritetin në politikë dhe jetën parlamentare, vlerëson se zyrtarë të zgjedhur ose të emëruar, që kanë rekorde negative në raport me ligjin, që rezultojnë më se njëherë se kanë përfshirje direkte ose indirekte në skandale dhe ngjarje të rënda, që hyjnë në parlament në disa mandate pa dhënë asnjë kontribut legjislativ aty, dhe që politikën e shohin si imunitet e privilegj dhe imunitetin si mekanizëm përfitues e abuzues me shtetin e së drejtës, lirinë dhe pronën qytetare, – vijojnë të jenë aktiv në partitë tona, në parlament, në bashkitë dhe jetën publike, ndonëse kanë qenë e janë modele të papajtueshme me standardet e integritetit, etikës dhe llogaridhënies”, thuhet në reagim.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se, ndonëse partitë tona i pranuan publikisht dekriminalizimin, Kodin e Sjelljes dhe parimet e integritetit, ato i përdorin këto angazhime vetëm për të adresuar akuza për konsum politik ndaj palëve politike rivale, por ndërkohë refuzuan t’i aplikojnë brenda vetë strukturave të tyre të brendshme, në proceset e tyre të brendshme dhe në fazën e hartimit të listës së kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkish.

“Koncepti i parandalimit dhe verifikimit të hershëm u injorua, për pasojë, edhe 7 vjet pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, nuk janë arritur ende standardet e premtuara të integritetit dhe vazhdimisht vijojmë të kemi politikanë të përfshirë në skandale që detyrohen nga presioni publik të japin dorëheqje”, deklaron ISP dhe thekson se është koha për politikë të pastër dhe të përgjegjshme, me integritet dhe llogaridhënëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë