Spanja ka shpallur sërish gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të Covid-19 nga frika se mos gjykatat rrëzojnë vendimet e qeverive rajonale që kanë vendosur masa shtrënguese kundër infeksionit, ndërsa Italia ka vendosur mbylljen e plotë të kinemave, teatrove dhe orar të kufizuar për baret dhe restorantet, ndërsa në Zvicër është shpërndarë një qarkore për autoritetet shëndetësore ku këshillohet që përparësi në trajtim mjekësor t’u jepet pacientëve të rinj.
Europa po shkon me shpejtësi drejt një mbylljeje të re dhe shumë ekspertë paralajmërojnë një nëntor dhe dhjetor sfidues për sistemet shëndetësore nga ajo që gjithnjë e më shumë po cilësohet si vala e dytë e Covid-19.
Të gjitha vendet po përjetojnë një rritje drastike të rasteve të reja me koronavirus, që ka rikthyer panikun e kolapsit të sistemit shëndetësor sidomos në Spanjë dhe në Itali. Qeveria spanjolle vendosi në një mbledhje të jashtëzakonshme këtë të diel shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa në Itali Giuseppe Conte firmosi aktin e ri të ashpërsimit të kufizimeve.
Sipas këtij akti, baret dhe restorantet mbyllen që në orën 18:00 të pasdites, por duke marrë parasysh kërkesën e drejtuesve rajonalë që fundjava të mbetet e hapur edhe për to. Në Itali, masat e reja hyjnë në fuqi duke filluar nga dita e hënë, 26 tetor dhe do të qëndrojnë deri më 24 nëntor, me mundësinë për t’u zgjatur përtej kësaj date nëse situata nuk ka përmirësim.
Vendimi për të mos mbyllur fundjavën është pritur me kritika nga një pjesë e ekspertëve, por Komiteti Teknik e arsyetoi atë duke deklaruar se mbajtja hapur e restoranteve në fundjavë është një vendim i drejtë për të shmangur grumbullimet edhe më masive familjare të shtunën dhe të dielën. Gjithashtu është refuzuar edhe kufizimi i lëvizjeve mes rajoneve, pasi sipas ekspertëve italianë të dhënat sugjerojnë se infektimet më të shumta janë të regjistruara në zonat metropolitane. Është refuzuar edhe propozimi për të mbyllur udhëtimet me jashtë.
Sa u takon shkollave, ato mbeten të hapura plotësisht për ciklin e ulët, ndërkohë që për pjesën tjetër urdhërohet adoptimi i metodave të mësimit online në të paktën 75 për qind të tyre. Qytetarëve u këshillohet fort që të shmangin transportin publik, ndërsa pishinat dhe palestrat do të mbyllen.
Në Spanjë, gjendja e jashtëzakonshme është vendosur për 15 ditë me mundësinë e zgjatjes me një muaj e deri në pa afat nëse situata përkeqësohet. Mediat spanjolle raportojnë se kjo gjendje do të qëndrojë në fuqi deri në muajin prill.
Sipas këtij vendimi, duke filluar nga e hëna, i gjithë vendi do të futet në izolim duke filluar nga ora 23:00 deri në orën 06:00, administrata do të funksionojë e reduktuar vetëm me punonjësit që nuk kanë mundësi të punojnë nga shtëpitë.
Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ishte kërkesë e 11 prej 17 qeverive rajonale që ka Spanja.
Ndërkohë, në Zvicër është bërë publik një udhëzim i brendshëm që u këshillon autoriteteve një hierarki trajtimi mjekësor të pacientëve të infektuar me Covid-19. Sipas këtij udhëzimi, këshillohet që pacientët e moshës 75 deri në 85 vjeç dhe me historik sëmundjesh të jenë të fundit që vendosen në frymëmarrje të drejtuar, më pas pacientët e moshës 65 deri në 75 e kështu me radhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje