Futboll

Italia bindëse dhe spektakolare, Barela ndëshkon Holandën

Një Itali krejtësisht ndryshe në Ligën e Kombeve. “Axurrët” mundën 0-1 Holandën me golin e Barelës, por mbi të gjithë treguan klas, duke bërë një lojë të niveleve të dikurshme, me spektakël brenda. E vetmja gjë e keqe për Italinë në këtë ndeshje ishte dëmtimi i Xaniolos, i cili rrezikon të qëndrojë gjatë jashtë fushave.

Trajneri Mançini ka qëndruar besnik stilit të tij, por duke bërë 7 ndërrime në krahasim me ndeshjen me Bosnjë Hercegovinën. Mesfusha me Barelën, Zhorzhinjon dhe Lokatelin funksionoi shumë mirë, ndërkohë që Holanda nuk ishte aq soli në mbrojtje, ku luante pa De Ligt dhe De Vrij. Xaniolo u dëmtua në gju dhe u detyrua të linte fushën që në pjesën e parë, për t’u zëvendësuar nga Kean. Pas një aksioni të bukur, Imobile lirohet në zonë dhe kroson saktë për Barelën, i cili në mes të Ake dhe Van Dijk arrin ta dërgojë topin në rrjetë me kokë.

Barela feston golin e fitores me Kean. Gazeta Si, 8 shtator 2020

Edhe në pjesën e dytë Italia është e zonja e fushës dhe Insinje tenton me një parabël, por pa mundur të dyfishojë, ndërsa Donaruma është gjithmonë në lartësinë e duhur. Insinje është i kudondodhur, kurse Imobile bën gjithçka mirë, përveç finalizimit. Me atë që u pa në fushë, Holanda është me fat që pësoi vetëm një gol. Loja e “tulipanëve” ishte konfuze, me topa të hedhur në rrëmujën e zonës. Italia kryeson Grupin 1 në Ligën A, me 4 pikë pas 2 ndeshjesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë