Bota

Italia hyn në karantinë gjatë festave

Italia urdhëroi të premten hyrjen e të gjithë vendit në karantinë, për pjesën më të madhe të sezonit të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, në përpjekje për të frenuar rritjen e rasteve me Covid-19.

Kryeministri italian Giuseppe Conte i quajti kufizimet një ”vendim të dhimbshëm ”, por tha se duheshin vendosur pasi mbledhjet familjare mund të ndiznin përhapjen e mëtejshme virusit.

“Covid-19 vazhdon të qarkullojë kudo. Ne mund ta mbajmë nën kontroll, por nuk mund ta mposhtim atë” tha Conte. “Kjo është arsyeja pse edhe midis ekspertëve tanë ekziston një shqetësim i fortë se kurba e infeksionit mund të rritet gjatë periudhës së Krishtlindjes”.


Vendimi vjen ndërsa Lombardia, Veneto dhe Lazio regjistruan një normë transmetimi mbi 1, që do të thotë se virusi po përhapet përsëri me ritme të larta në këto tre rajone kryesore pas javësh të tëra të uljes së kurbës së infektimit.
Italia ishte vendi i parë perëndimor i goditur nga pandemia dhe gjithashtu ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve në Europë, duke arritur gati 67,900 të vdekur të premten.

Cilat janë rregullat e reja?
Dekreti i ri vendos kufizime të rrepta në lëvizjet gjatë festave dhe fundjavave nga 21 dhjetori deri në festën e Epifanisë së 6 Janari.
Për të lejuar që njerëzit të jenë bashkë për Krishtlindje, vizitat tek anëtarët e familjes së jo më shumë se dy personave do të lejohen.

Kufizimet e reja nuk do të lejojnë drekat e Krishtlindjeve në restorante, siç ishte parashikuar në një dekret të mëparshëm, megjithëse lejohet shpërndarja nga restorantet. Për të zbutur goditjen në një sektor tashmë të shkatërruar, dekreti përfshin 645 milion euro ndihma.
Dekreti lejon daljet vetëm për punë, arsye shëndetësore dhe gjëra të domosdoshme si blerja e ushqimeve ose shkuarja në farmaci. Në katër ditë jave, dyqanet e tjera do të jenë të hapura deri në orën 21:00.

A është Italia një përjashtim?

Italia është vendi i fundit i BE që vendos një bllokim gjatë festave të fundvitit. Holanda hyri në një bllokim pesë-javor të martën.
Javën e kaluar, Gjermania shtoi masat e bllokimit deri në 10 janar për të ndaluar rritjen e rasteve të reja. Austria njoftoi të premten se do të shkonte në bllokimin e tretë të koronavirusit menjëherë pas Krishtlindjeve. Greqia po ashtu ka njoftuar se masat izoluese do të jenë në fuqi deri në 7 janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë