Ne rrjet

Italia nuk e hap sezonin turistik deri më 2 qershor

Italia do të hapë me vonesë sezonin turistik, për të bërë të mundur heqjen graduale të masave. Vendi fqinj do të hapë dyert për turistët disa javë pas Greqisë, (e cila nis sezonin më 1 maj) dhe po imunizon hap pas hapi destinacionet turistike të tilla si Kapri. Por edhe këtë vit, pandemia mbetet një kërcënim për sezonin e verës, duke e detyruar qeverinë italiane të marrë masa të kujdesshme.

Italia planifikon lehtësimin e kufizimeve në maj, në mënyrë që të mundë të hapë sezonin turistik në qershor. “2 qershori është një festë kombëtare dhe kjo mund të jetë koha e duhur,” tha Ministri i Turizmit i Italisë, Massimo Garavaglia.

“Ekziston një debat ideologjik mbi rihapjen,” tha ai. “Nuk ka të zezë ose të bardhë. Por do të ishte e gabuar të jepnim vetëm sinjale negative, sepse ekonomia ecën gjithashtu sipas pritshmërive ”, tha Garavaglia.

I pyetur për vonesën e hapjes së sezonit, ai tha se planifikimi paraprak ishte i nevojshëm për rihapjen e sektorit të turizmit, pasi ai ishte ndër më të goditurit nga masat e bllokimit. “Ka biznese që mund të hapen brenda natës siç janë dyqanet e berberëve”, tha ai. “Të tjerët nuk munden, si hotelet e mëdha. Ne duhet të monitorojmë të dhënat shëndetësore dhe, mbi këtë bazë, të hapemi sa më shpejt të jetë e mundur. “

Ndërkohë Ministri i Çështjeve Rajonale Mariastella Gelmini tha në një konferencë se kufizimet do të lehtësohen në “mënyrë madhore” gjatë majit, duke shtuar se disa kufizime “mund të hiqen” që në 20 prill. Afati kohor i sugjeruar për rihapjen, i cili nuk është konfirmuar zyrtarisht, duket i ngjashëm me atë të ndjekur në vitin 2020 kur bizneset u hapën gradualisht përgjatë prillit dhe majit pas një bllokimi të rreptë që zgjati gati tre muaj.

Rihapja e vitit të kaluar e turizmit ishte e mundur, sipas ministrave, pasi Italia regjistroi një ulje drastike të numrit të transmetimeve të koronavirusit. Sidoqoftë, udhëtimet ndërkombëtare dhe disa biznese të lidhura me turizmin, të tilla si klubet e natës, çuan në një vale të dytë në fund të verës.

“Vitin e kaluar ne nuk e dinim se kundër çfarë po luftonin”, thotë Gelmini. “Këtë herë kemi përvojën e kaluar dhe kemi një plan vaksinimi që po bën përparim.” “Ne jemi duke punuar sektor pas sektori për të dhënë data specifike për heqjen e masave kufizuese”.

Megjithatë, Italia nuk ka deklaruar ende nëse ka në plan të bashkohet me skemën evuropiane të “pasaportave të udhëtimit” dhe nëse po, a do të pranojë qyetarët e vaksinuar me vaksinat kineze dhe ruse.

Deklaratat e ministrave erdhën pasi pronarët e bizneseve dhe punëtorët e prekur nga kufizimet e vazhdueshme kanë organizuar një seri protestash në shumë qytete italiane në fillim të kësaj jave, duke përfshirë një demonstratë jashtë ndërtesës së parlamentit në Romë të Martën që tejkaloi në dhunë.

Udhëtimet jothelbësore në Itali mbeten shumë të kufizuara për shumicën e vendeve jo-BE dhe testimi dhe karantina është e detyrueshme për të gjithë udhëtarët.

E gjithë Italia mbetet nën kufizime të shtrënguara deri të paktën në fund të prillit dhe të gjitha udhëtimet jo-thelbësore midis qyteteve dhe rajoneve janë të ndaluara. Muzeumet, galeritë, teatrot dhe sallat e koncerteve janë të mbyllura, dhe baret dhe restorantet nuk mund t’u shërbejnë klientëve në ambiente të mbyllura.

Dhe në nëntë rajonet e Italisë që aktualisht janë përcaktuar zona “të kuqe” nën kufizimet maksimale, shumica e dyqaneve janë të mbyllura dhe qytetarët nuk supozohen të largohen nga shtëpia, përveçse për arsye të domosdoshme.

Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë vazhdon të këshillojë banorët të shmangin udhëtimet jashtë vendit nëse është e mundur, duke paralajmëruar se kufizime të reja mund të vendosen sërish në përgjigje të rasteve në rritje ose varianteve të reja.

Tani për tani, niveli i vaksinimit të Italisë mbetet më i ngadaltë se sa pritej, ndërsa vendi vazhdon të raportojë një numër më të lartë të vdekjeve sesa vendet fqinje të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë