Bota

Italia po përballet me një tjetër vit thatësire të madhe, në Venecia gondolat kanë mbetur në baltë

Zona të gjera përgjatë lumit Po tashmë janë tharë, duke rritur frikën për bujqësinë, hidrocentralet dhe ujin e pijshëm.

Lumenjtë dhe liqenet e Italisë po përballen me një tjetër vit thatësire të rëndë pas një dimri me pak reshje shiu dhe bore, duke ngritur alarmin për bujqësinë, hidrocentralet dhe aksesin në ujin e pijshëm.

Zonat e gjera të Po, lumi më i gjatë i vendit që “ushqen” disa rajone veriore dhe qendrore janë tashmë të thara, ndërsa niveli i ujit në liqenin Garda është më i ulëti gjatë dimrit në 35 vjet.

Niveli jashtëzakonisht i ulët i ujit në Venecia ka tharë kanalet e qytetit lagunor.

Tashmë është e pamundur të mos vërehet një skenar që do të ishte pothuajse surreal. Gondolat kanë mbetur të bllokuara në baltë, deri në atë pikë sa është e vështirë edhe të jepet ndihmë në rast nevoje.

Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Italisë (CNR) tha se reshjet në veri ishin ulur me 40% në vitin 2022 dhe mungesa e reshjeve që nga fillimi i 2023 kishte qenë e konsiderueshme.

Në veçanti, Po, që shtrihet nga Alpet në veri-perëndim dhe rrjedh nëpër deltën e Po para se të arrijë në Adriatik, do përballet me një përsëritje të thatësirës së vitit të kaluar, më e keqja që ka prekur rrugën ujore në shtatë dekada, nëse nuk bie shi në pranverë. Në zonën e Pavias të luginës Po niveli i ujit rrezikon ti kthejë brigjet e lumenjve në plazhe, një fenomen që zakonisht shihet gjatë verës.

“Asgjë nuk ka ndryshuar që nga viti 2022”, tha Luca Mercalli, presidenti i Shoqatës Italiane Meteorologjike.

“Ne jemi ende në një situatë deficiti. Le të presim pranverën, e cila është zakonisht periudha më me shi për luginën e Po. Ekziston një mundësi e mirë që reshjet në prill dhe maj të mund të kompensojnë dëmet dhe kjo është shpresa e fundit. Nëse nuk kemi shi pranveror për dy vite radhazi, atëherë do të ishte hera e parë që do të ndodhte një katastrofë e tillë”.

Po gjithashtu rrjedh përmes Emilia-Romagna dhe Veneto, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore në Europë. Së bashku me vitin 2022, gjatë të cilit pati një valë të zgjatur të nxehti, lugina përjetoi thatësira në 2007, 2012 dhe 2017, dhe shkencëtarët thonë se është një tregues i mëtejshëm i krizës klimatike.

Coldiretti, shoqata më e madhe e fermerëve në Itali, tha se thatësira e vitit 2022 shkaktoi dëme në vlerë prej 6 miliardë eurosh në prodhimet bujqësore. Ai paralajmëroi se një e treta e prodhimit ishte në rrezik këtë vit nëse nuk shmangej një thatësirë tjetër e gjatë dhe e rëndë.

Alessandro Bratti, presidenti i autoritetit të basenit të Po, tha se situata ishte më ekstreme në Piemonte dhe Lombardi, ndërsa në Trentino po ndikonte në prodhimin e energjisë hidroelektrike.

“Nëse nuk keni ujë, nuk mund të prodhoni energji, kështu që ky është një problem tjetër”, tha Bratti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë