Bota

Iu besua marinsave amerikanë, gjendet foshnja afgane e zhdukur gjatë evakuimit

Ndoshta një fund i lumtur. Është gjetur dhe është në proces rikthimi në familjen Sohail Ahmadi, fëmija afgan, i cili u zhduk pasi prindërit e tij ia besuan një marinsi amerikan në aeroportin “Hamid Karzai” në Kabul gjatë tërheqjes së tij kaotike nga Afganistani verën e kaluar.

Gazeta britanike “The Times”, raporton se fëmija, i cili tani është gjashtë muajsh, pasi shpëtoi nga një tentativë rrëmbimi, është i sigurt dhe u gjet në shtëpinë e një shoferi taksie në Kabul, i cili ka qenë duke u kujdesur për të deri më tani.

Mirza Ali Ahmadi dhe gruaja e tij Suraya, ishin në aeroportin e Kabulit më 19 gusht për t’u përpjekur të largoheshin nga Afganistani, pasi talebanët erdhën në pushtet.

Pasi kishin përfunduar me mijëra njerëz të tjerë që prisnin të hynin në aeroport për të hipur në fluturimet e evakuimit, ata ia kishin besuar Sohailin, i cili në atë kohë ishte dy muajsh, ushtrisë amerikane nga frika se ai mund të shtypej nga turma.

Por ata nuk kishin dëgjuar më për foshnjën që nga ai moment. Çifti u evakuua më pas me fëmijët e tyre të tjerë 17, 9, 6 dhe 3 vjeç, duke mbërritur në Fort Bliss, Teksas, pas një udhëtimi të gjatë me ndalesa fillimisht në Katar dhe më pas në Gjermani.

Tashmë vjen një fund i mundshëm i lumtur, edhe pse për momentin nuk ka ende një konfirmim zyrtar për identitetin e vogëlushit.

Ndërkohë, pavarësisht kufizimeve kufitare, fluturimi nga Afganistani nuk është ndalur asnjëherë, ku sipas OKB-së po ndodh “një nga fatkeqësitë më të rënda humanitare në botë”, e cila rrezikon të përkeqësohet më tej me ardhjen e dimrit.

Që nga gushti, të paktën 290,000 njerëz kanë ikur në Pakistan. Dhe shumë të tjerë mund të kërkojnë të largohen nga vendi në javët e ardhshme, pasi autoritetet talibane njoftuan rifillimin e shërbimeve të lëshimit të pasaportave në tre rajone të vendit, duke përfshirë Kabulin, i cili ishte pezulluar që nga gushti për shkak të “problemeve teknike” të lidhura me fluksin e madh të kërkesave.

“Aparatet biometrike janë riparuar”, siguroi shefi i zyrës, Alam Gul Haqqani, duke saktësuar se fillimisht pasaportat do t’u jepen atyre që kishin aplikuar, ndërsa aplikimet e reja do të pranohen vetëm nga 10 janari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë