Gazeta Si – Disa raketa u hodhën nga Gaza në drejtim të Izraelit, menjëherë pas njoftimit për vdekjen në burg të Sheikh Khader Adnan, një nga udhëheqësit e Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor.
Sipas radios ushtarake, “dy ose tre raketa” u hodhën dhe u ulën në zona të hapura pa shkaktuar dëme apo viktima. Sirenat e alarmit ishin aktivizuar më parë në Kibbutz Saad, në Negev.
Nga Gaza, Xhihadi Islamik tashmë ka akuzuar Izraelin si përgjegjës për vdekjen e Adnanit në burg. “Ky krim, – paralajmëroi ai në një deklaratë, – nuk do të kalojë pa reagim”.
44-vjeçari Sheikh Khader Adnan vdiq pas një greve urie 86-ditore, tha shërbimi i burgut izraelit, sipas të cilit ai u gjet pa ndjenja në qeli gjatë natës dhe u transferua në një spital aty pranë, ku u konfirmua vdekja e tij.
Adnani u arrestua për të dhjetën herë në shkurt me dyshimin se ishte pjesë e një organizate terroriste.
Protagonisti i grevave të tjera të urisë në të kaluarën, sheiku gëzonte një popullaritet të madh dhe vdekja e tij rrezikon të nxisë dhunën.
Reagim i ashpër ka ardhur dhe nga Autoriteti Kombëtar Palestinez (PNA) ndaj vdekjes së Sheikh Khader Adnan.
Kryeministri palestinez Muhammed Shtayeh, i cituar nga agjencia e lajmeve “Wafa”, akuzoi Izraelin se kishte kryer “një atentat të qëllimshëm” dhe se ishte fajtor për neglizhencë mjekësore.
Ministria e Jashtme palestineze, ka bërë thirrje për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të hetuar rrethanat e vdekjes. Ajo gjithashtu parashikoi se do ta referojë çështjen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Të burgosurit në burgje konsiderohen nga palestinezët se simbolizojnë luftën. Adnani protestoi kundër asaj që quhet “arrest administrativ”: ai lejon Shin Bet, shërbimin sekret, të zgjasë arrestin për gjashtë muaj pa pasur nevojë të paraqesë akuzat dhe pa mundur që të ndaluarit të takojnë avokatët.
Sipas inteligjencës izraelite, metoda lejon marrjen e informacionit për të penguar sulmet, të cilat organizatat e të drejtave të njeriut pretendojnë se janë të paligjshme dhe llogaritin se një mijë palestinezë janë në burg sipas këtij sistemi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje