Izraeli ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë farmaceutike amerikane “Pfizer” për të blerë miliona doza të vaksinës anti-Covid për vitin 2022.
Kryeministri Benjamin Netanjahu bëri të ditur lajmin, duke shtuar se gjithashtu është rënë dakord për një mundësi për të blerë miliona doza të tjera.
Vaksinat në fjalë – siç është thënë – janë efektive në luftimin e varianteve të virusit. Netanjahu shpreson po ashtu që së shpejti të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje edhe me kompaninë tjetër farmaceutike “Moderna”.
“Izraeli, – nënvizoi kryeministri, – do të vazhdojë të drejtojë luftën botërore kundër Covid. Nuk do të ketë më izolim, bllokimi ka mbaruar”.
Para dy ditësh, autoritetet izraelite kanë njoftuar se vendosja e maskës nuk do të jetë më e detyrueshme në ambiente të jashtme.
Të gjitha shkollat janë hapur në këtë vend, në kuadër të masave për t’iu kthyer normalitetit, pas fushatës së gjerë të vaksinimit kundër koronavirusit.
Me një popullsi prej 9.3 milionë banorësh, Izraeli ka vaksinuar 54% të qytetarëve të tij me dy doza të vaksinës “Pfizer/BioNTech”.
Ministria e Shëndetësisë në këtë vend, ka thënë se ndonëse vendosja e maskës nuk do të jetë më e detyrueshme jashtë, masa për vendosjen e saj do të vlejë ende për hapësirat e brendshme publike.
Ministria e Edukimit ka thënë se tani pas kthimit të të gjithë fëmijëve nëpër shkolla, këto institucione duhet të inkurajojnë mbajtjen e higjienës personale, ventilimin e klasave dhe mbajtjen e distancës fizike, sa më shumë që është e mundur gjatë pushimeve mes orëve të mësimit.
Ndërkohë, 5.2 milionë palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, kanë pranuar një sasi të kufizuar të vaksinave nga Izraeli, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, dhe skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila synon të shpërndajë vaksina kundër koronavirusit për vendet e varfra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje