Japonia ka përkujtuar sot 10-vjetorin e katastrofës së trefishtë të Fukushimës: tërmeti me madhësi 9-të ballë, cunami pasues dhe shpërndarja e rrezatimit nga termocentrali bërthamor, një zinxhir ngjarjesh që shkaktuan vdekjen e mbi 18,000 njerëzve.
Në prefekturat e Fukushimas, Iwates dhe Miyagit, një minutë heshtje u mbajt në orën 14:46 (6:46 me atë europiane), koha e saktë kur nisën lëkundjet.
Tërmeti 9 ballë, ishte një nga më të fuqishmit të regjistruar ndonjëherë në vendin aziatik. Pas pak minutash, ai provokoi një cunam të madh që përfshiu tokën, duke shkatërruar qytetet dhe infrastrukturën e tyre kryesore, si dhe shkaktoi shembjen e termocentralit bërthamor ”Fukushima Daiichi”.
Përveç mijëra viktimave, katastrofa e trefishtë solli edhe zhvendosjen e pothuajse gjysmë milionë njerëzve, nga të cilët, mbi 40 mijë nuk janë kthyer ende në shtëpi.
“Zemra ime dhemb kur mendoj për ata që kanë vuajtur, kanë humbur të dashurit, punën dhe gjithçka tjetër. Më duket e rëndësishme të shëroj plagët emocionale dhe të kujdesem për mendjen dhe shëndetin e të prekurve, përfshirë të moshuarit dhe fëmijët”.
Kështu ka deklaruar perandori japonez, Naruhito gjatë përkujtimit të tragjedisë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkimit dhe rindërtimit të jetës, “pa lënë as edhe një shpirt pas në këtë situatë të vështirë”.
Naruhito mbajti një minutë heshtje në memorialin kushtuar viktimave në Tokio në 14:46 me kohën lokale, ashtu si edhe kryeministri, Yoshihide Suga.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje