Futboll

Java e makthit për Interin, Zhang shpërthen kundër Ligës

Teksa Këshilli i Ligës ishte duke fiksuar datat e ndeshjeve të shtyra të Serisë A për shkak të rrezikut nga koronavirusi, një reagim shumë i ashpër i presidentit Steven Zhang i ka trazuar sërish gjakrat mes klubit zikaltër dhe presidentit të Ligës, Paulo Dal Pino. Fjalë të ashpra që kanë gjetur menjëherë mbështetjen e Marotës.

Numri 1 i Interit ka bërë një postim në profilin e tij në Instagram, ku sulmon Dal Pinon, duke e quajtur atë kloun. “Je klouni më i madh që kam parë ndonjëherë. 24 orë, 48 orë dhe 7 ditë, çfarë tjetër? Cili është hapi i radhës? Ti flet për sportivitet, për kampionat të rregullt. Çfarë mendon për faktin se nuk po mbrojmë lojtarët dhe trajnerët tanë dhe u kërkon të luajnë 24 orë në ditë dhe 7 ditë me radhë. Po flas me ty, presidenti ynë i Ligës. Duhet të të vijë turp, është momenti të marrësh përgjegjësitë e tua. Këtë duhet të bëjmë në 2020-ën, vlen për të gjithë në botë, nuk ka rëndësi nëse jeni tifozë të Interit apo Juventusit, apo me asnjë ekip. Ju lutem, kini kujdes për shëndetin tuaj! Kjo ka më shumë rëndësi për ju, për familjen tuaj dhe për klubin tonë”.

Presidenti i Interit, Zhang, dhe mesazhi i tij kundër Ligës. Gazeta Si, 3 mars 2020

Ky është mesazhi i fortë i presidentit të Interit, që ka krijuar shumë zhurmë. Profili i tij është i certifikuar dhe nuk ka vend për dyshime. I gjithë ky shpërthim vjen për faktin se me kalendarin e ri Interi luan gjithë sezonin në 7 ditë. Të enjten e 5 marsit luan gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Italisë ndaj Napolit, më 9 mars sfida e titullit ndaj Juventusit dhe më 12 mars ndeshja e parë në Ligën e Europës kundër Getafes. Duke u përqendruar te kampionati, Interi shkon në Torino me një diferencë prej 6 pikësh pas Juventusit, pasi për ndeshjen e shtyrë me Sampdorian nuk ka ende një datë zyrtare.

Pra, është një situatë ndryshe nga ajo që duhej të ishte. Edhe nëse humb, Juventusi mbetet 3 pikë para, çka do të thotë se sforcoja psikologjike është ndryshe. Kjo është arsyeja pse polemikat nga ana e Interit janë kaq të forta në këtë moment. Asambleja e Ligës pritet të jetë mjaft e ndezur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë