Gazeta Si – Tri ditë përpara protestës së 11 shkurtit, ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi takim me degët e PD-së të njësisë 8 dhe 10, që njihen dhe si bastioni i demokratëve.
Duke u fokusuar të çështja ‘McGonigal’, Berisha u shpreh se “afera Rama-McGonigal është një aferë botërore, që ka tronditur në fushën e sigurisë, jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale, por ka tronditur këtë fushë për SHBA-të, vendet e NATO-s dhe vendet e lira në tërësi”.

“Aktin që ka bërë Edi Rama mund ta ndërmerrte vetëm një fuqi armiqësore ndaj SHBA-ve. Vetëm një vend armik mund t’i lejonte vetes t’i korruptojë njeriun më të çmuar të kundërzbulimit, vendit me përgjegjësi më kryesore për sigurinë e botës. Pra, në përmasa kjo tejkalon çdo lloj imagjinate për një vend partner, vend të lirë.
Secili nga ju në rast se i shtroni pyetjen vetes dhe duhet t’ia shtroni, si ka mundësi që ky njeri t’ia lejojë vetes një akt të tillë. Ka vetëm një përgjigje, në keqësinë e tij, Edi Rama nuk njeh asnjë kufi”, – shtoi Berisha.
Ai akuzoi Edi Ramën se korruptoi zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal për të goditur Partinë Demokratike dhe qëllimi i kryeministrit ishte që ta vendoste PD-në në xhepin e tij, duke përdorur edhe Lulzim Bashën.
“Dhe a e realizoi këtë? E realizoi 100%, sepse Edi Rama, se çfarë i tha McGonigal nga hetimi i tij nuk e di, por këtu hapi proces kundër Lulzim Bashës për larje parash, për të cilën Lulzim Basha dënohej të paktën 6 vite burg dhe sot e kësaj dite nuk tregon ku i mori paratë.
Dhe nëse nuk i tregon ku i ka marrë, i ka para të pista. Ne jemi viktimat më kryesore të ‘RamaGate’. Kush, opozita, pluralizmi. Pas këtij akti duhej akti tjetër, që opozita të mos ekzistonte, veç si fasadë. Të shpallej ‘non grata’ Sali Berisha dhe pastaj të gjitha zgjidheshin”, – deklaroi Berisha.
Ndërkohë që ish-kryeministri veç sulmeve të ambasadores amerikane Yuri Kim të bëra më parë, sulmoi edhe ambasadorin britanik në Tiranë. “I them këtu ambasadorit Alastair-King Smith, korrupsioni yt me qeverinë është një nga shkaqet e dramës që zhvillohet në La Mansh dhe ftoj aktivitete britanike ta vijnë ta studiojnë këtu”, – deklaroi Berisha. Ai vijoi akuzat ndaj Ramës, duke theksuar se ka korruptuar edhe europarlamentarë.
“Korrupsioni, sepse McGonigal nuk është fenomen i izoluar. Ajo fuqi korruptive e Edi Ramës, nuk veproi vetëm tek McGonigal, por veproi tek diplomatët, europarlamentarët, zyrtarë të tjerë, që i merr së bashku me përfaqësues të Sinaloas dhe i fut në zyrë”, – deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje