Nuk do të jetë vetëm një sfidë për kreun e klasifikimit në Serinë A ndeshja mes Milanit dhe Interit. Nuk është vetëm sfida e shumëpritur mes Ibrahimoviçit dhe Lukakut. Të dielën në “San Siro”, para Milan-Inter do të luhet edhe një ndeshje tjetër, “derbi i solidaritetit”.
Ultrasit e dy skuadrave janë duke mbledhur ushqime, veshje dimërore, batanije, ujë dhe produkte për higjenën, që më pas do t’u shpërndahen të pastrehëve në Milano. Në këto netë të akullta ata po rrezikojnë jetën dhe kanë nevojë për gjithçka.
Të dielën, në një nga hyrjet e stadiumit, rreth mesditës, tifozët do të paraqiten aty për të dorëzuar tek “City Angels” gjithçka që kanë pasur mundësi të mbledhin këto ditë. “Kur ua propozova idenë Luka Luçit, liderit të ultrasve të Milanit, dhe Vitorio Boiokit, liderit të ultrasve të Interit, të dy reaguan me entuziazëm.
Ata kanë përfshirë me qindra tifozë në këtë garë të bukur solidariteti”, – ka deklaruar Mario Furlan, themeluesi i “City Angels”. Natyrisht, do të ketë kohë edhe për një fotografi pas parullës “Të bashkuar dhe dolidarë” mes tifozëve ultras të dy skuadrave, të veshur me ngjyrat e Milanit dhe Interit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje