Bota

Joe Biden: Gorbachev, një njeri me vizion e guxim të jashtëzakonshëm

Presidenti i SHBA, Joe Biden e vlerësoi Mikhail Gorbachev si një njeri me vizion të jashtëzakonshëm, që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe ndër të paktët zyrtarë rusë që kishte kuptuar se gjërat duhet të ndryshonin.

“Mikhail Gorbachev ishte një njeri me vizion të jashtëzakonshëm. Kur ai erdhi në pushtet, Lufta e Ftohtë zgjaste për afro 40 vjet dhe komunizmi për më shumë, me pasoja shkatërruese. Pak zyrtarë të nivelit të lartë sovjetik patën guximin të pranonin se gjërat duhej të ndryshonin”, thuhet në deklaratën e Biden.

Në krye të Bashkimit Sovjetik, Gorbachev punoi me Presidentin Reagan për të reduktuar arsenalet bërthamore të dy superfuqive dhe dhënien fund të garës së armatimit bërthamor.

“Pas dekadash shtypjeje brutale politike, ai përqafoi reformat demokratike. Ai besonte te glasnosti dhe perestrojka – hapja dhe ristrukturimi – jo si slogane të thjeshta, por si rruga përpara për popullin e Bashkimit Sovjetik pas kaq shumë vitesh izolimi dhe privimi”, vijon Biden.

Sipas Presidentit të SHBA, këto vendimmarrje e përcaktuan atë si një lider me një imagjinatë për të parë se një e ardhme ndryshe ishte e mundur dhe me guximin për të rrezikuar të gjithë karrierën e tij për ta arritur atë.

“Rezultati ishte një botë më e sigurt dhe liri më e madhe për miliona njerëz”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Biden rrëfen më pas përshtypjet nga një takim që ka pasur me Gorbachev në Shtëpinë e Bardhë në 2009, kur SHBA drejtohet nga Barack Obama dhe Joe Biden ishte zëvendësi i tij.

“Kur Gorbachev vizitoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 2009, ai dhe unë folëm për një kohë të gjatë për punën e vazhdueshme të vendeve tona për të reduktuar stoqet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë. Ishte e lehtë të kuptohej se përse kaq shumë njerëz në mbarë botën e vlerësonin kaq shumë”, thuhet në deklaratë.

Reagimi i Presidentit amerikan mbyllet me ngushëllimet dërguar familjarëve dhe dashamirësve të Mikhail Gorbachev dhe trashëgimisë së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë