Futboll

Juventus i rinuar dhe revolucionar, mos po e ekzagjeron pak Pirlo?

Revolucioni i tetorit për një skuadër që duhet të shkojë në Kiev, është një temë shumë aktuale. Problemi është se duhet ta bëjë shumë shpejt këtë revolucion, mundësisht para nëntorit. Andrea Pirlo, kur mori drejtimin e Juventusit, ka ndryshuar shumë gjëra.

Sarri e kishte të shenjtë mbrojtjen me 4 dhe luante me 3 mesfushorë, kurse Pirlo aktivizon 2 lojtarë në këtë sektor. Ish-trajneri donte Pjaniçin titullar dhe Douglas Kostën, që të dy kanë ikur. Po ashtu, Sarri kishte skuadrën me eksperte mes big-ëve të Europës, kurse Juventusi i Krotones luajti me 5 lojtarë poshtë 23 vjeç (Kulusevski dhe Portanova 2000, Frabota 1999, Demiral 1998, Kieza 1997), plus Bentankur që sapo i ka mbushur 23 vjeç. Nga viti 1994 kjo nuk kishte ndodhur kurrë te Juventusi.

Pirlo nuk ka frikë të rrezikojë, por tani dihet kuptuar, nëse vendimet e tij janë kurajë, apo ekzagjerim? Ai po ecën në një fill të hollë. Ky Juventus i rinuar duhet të ndryshojë “lëkurën” taktikisht, duhet rinovim dhe fitore në të njëjtën kohë. E vështirë. Nëse jemi te ndryshimi i gjeneratës, Juventusi e ka bërë dy herë në 9 vitet e titujve, kur është rionovuar dhe ka vazhduar të fitojë. Por kjo është një sfidë më e madhe, sepse jemi në tetor dhe duket sikur është gusht. Këtë herë nuk pati fazë përgatitore dhe skuadra duhet të mësojë duke luajtur.

Nga ndeshja Krotone-Juventus, 1-1. Gazeta Si, 19 tetor 2020

Periudha e fundit është e tillë: të enjten rikthimi nga kombëtaret, të premten stërvitja para ndeshjes, të shtunën transferta e Krotones, të dielën stërvitja pas ndeshjes, sot udhëtimi për në Kiev dhe nesër Championsi. Si mund të përmirësohet skuadra, ndërkohë që është gjithmonë në udhëtim?

Alegri në një situatë të ngjashme ishte mjaft konservator: ai mori drejtimin e Juventusit në verën e 2014-ës dhe u mbështet tek idetë e Kontes, te skema 3-5-2, me shumë titullarë të vitit paraardhës. Pastaj nisi ndryshimin gradual. Pirlo ka zgjedhur rrugën e kundërt, menjëherë me idetë e tij në fushë, një zgjedhje tërheqëse dhe e rrezikshme në të njëjtën kohë. Po të shohësh klasifikimin, Milani, Sasuolo, Atalanta dhe Napoli, që janë përpara, kanë trajnerin e kampionatit të fundit. Xhenoa, Parma dhe Torino, 3 nga 6 të fundit, kanë ndryshuar trajner para pak kohësh dhe kjo nuk është rastësi.

Pirlo e di mirë këtë gjë, por do të vazhdojë në rrugën e tij, edhe pse në Kiev mund të shohim fytyra të njohura, si Kielini, Kuadrado dhe ndoshta Dibala. Kalendari parashikon Dinamon, Veronën, Barcelonën, Specian, Ferencvaroshin dhe Lacion në tri javë. Tani shpejtësia fillon dhe rritet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë