Futboll

Juventusi “extralarge”, Manxhukiç në krye të listës së lamtumirave

Organika e Juventusit është mjaft e ngarkuar aktualisht dhe drejtuesit e klubit bardhezi janë duke menduar për t’i sistemuar pak gjërat. Janë disa lojtarë që do të largohen nga Torino, në bazë të ofertave që do të vijnë për ta. Ka një listë lojtarësh, me në krye Mario Manxhukiç, që shumë shpejt do të ndërrojnë ambient.

Paulo Dibala mbetet në qendër të diskutimeve dhe të dilemës për t’u larguar apo jo nga Juventusi. Vetë lojtari ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron të mbetet me çdo kusht pjesë e “armatës” së trajnerit Mauricio Sarri. Edhe tifozët e duan. Për argjentinasin tjetër, Gonzalo Higuain, Juventusi është në pritje të ofertave dhe javët e ardhshme do të vërtetojnë, nëse ai do ta transferohet te Roma, diku tjetër, apo do të mbetet bardhezi. Mario Manxhukiç është shumë pranë kthimit në Bundesligë. Borusia Dortmund ka bërë një lëvizje, por një tjetër klub ka më shumë interes për kroatin, Bajerni i trajnerit Kovaç, shok i sulmuesit në kombëtaren kroate. Rikthimi te Bajerni është një opsion romantik për Mario Manxhukiç dhe më i mundshmi për momentin.

Matuidi dhe Dibala, dy lojtarë që pritet të largohen nga Juventusi. Gazeta Si, 15 gusht 2019

Lista e lojtarëve që pritet të largohen nga Juventusi vazhdon me francezin Blaise Matuidi, i cili humbet kuota në skemën e Sarrit në krahasim me Khedirën. Monako po ndjek me shumë interes situatën, pasi kërkon të marrë nga Juventusi jo vetëm mesfushorin e kombëtares franceze, por edhe mbrojtësin Daniele Rugani. Mbrojtësi italian nuk ka pasur hapësira te bardhezinjtë dhe fakti që Monako kërkon ta blejë kartonin e tij është diçka që nuk mund të nënvlerësohet nga drejtuesit e Juventusit.

Manxhukiç, Matuidi, Higuain dhe Rugani janë një hap larg lamtumirës nga bardhezinjtë, por nuk janë të vetmit. Shumë gjëra varen nga kalimi i mundshëm i Ikardit te kampionët e Italisë. Nëse ndodh kjo gjë, pavarësisht se Interi kërkon të vërë një klauzolë anti-Juventus për sulmuesin, edhe Dibala i bashkohet katërshes së lartpërmendur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë