Franca është e blinduar për shkak të masave të marra ndaj Koronavirusit, por nuk ka asnjë rrezik për ndeshjen e mbrëmjes së sotme mes Lionit dhe Juventusit. Autoritet lokale në fakt kanë kërkuar që të mos ketë tifozë të Juventusit në këtë ndeshje, por duket e vështirë që ata të ndalohen. Sarri dhe Bonuçi janë shprehur se nuk ka sens që tifozët të mungojnë në ndeshje të tilla.
Kristiano Ronaldo dhe De Ligt pritet të jenë udhërrëfyesit e Juventusit në Champions, janë dy lojtarë ekspertë në këtë kompeticion, që në të kaluarën kanë treguar se çfarë dinë të bëjnë. Në 2017-ën Ronaldo ka shënuar 5 gola ndaj Bajernit në dy ndeshjet çerekfinale, tripletë ndaj Atletikos në gjysmëfinale dhe 2 gola Juventusit në finale. Në 2018-ën, portugezi i ka shënuar 3 gola PSG-së dhe 3 Juventusit, ndërsa në 2019-ën tris ndaj Atletikos dhe 2 gola Ajaksit. De Ligt i ka shënuar Juventusit me fanellën e Ajaksit në Champions, kurse sot në mbrëmje do të jetë përkrah Bonuçit në qendër të mbrojtjes bardhezi. Janë dy lojtarë që pritet ta ndihmojnë Juventusin të të fitojë Championsin.

Trajneri Sarri e ka të plotë skuadrën, me përjashtim të mbrojtësit Demiral, i cili është dëmtuar prej kohësh. Lioni ka disa mungesa, ku veçohet ajo e holandezit Memfis Depai, një lojtar shumë i rëndësishëm për formacionin e francezëve. Në ndeshjen e sotme pritet që diferencën ta bëjë përvoja e italianëve.
Një ndeshje më spektakolare mendohet të jetë ajo që do të luhet në “Santiago Bernabeu”, ku Reali, “mbreti” i Championsit, pret Mançester Sitin. Guardiola kthehet në stadiumin, ku me Barcelonën ia ka dalë të fitojë, por me kampionët e Anglisë ende nuk ka arritur të bëjë goditjen e madhe në Champions League. Mançesteri ka marrë një ndëshkim të rëndë nga FIFA pak ditë më parë, nuk lejohet të marrë pjesë në Champions për dy sezone, por kjo nuk e pengon skuadrën e Guardiolës të kërkojë suksesin e madh këtë sezon.

Kampionët e Anglisë e kanë humbur titullin, pasi Liverpuli është “arratisur”, ndërkohë që edhe vetë janë shprehur se, nëse nuk fitojnë Championsin, do të quhen të dështuar. Sane është mungesa e vetme për Guardiolën në ndeshjen e sotme, ndërsa trajneri i madrilenëve, Zinedin Zidan, nuk ka të gatshëm Asension dhe Hazard.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje