Politike

Ka kuorum, por as gjashta magjike mund të mos bëjë punë për Kushtetuesen

Përparim Kalo u betua këtë të enjte si anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, duke plotësuar kështu numrin ‘magjik’ që kërkohet për plotësimin e kuorumit dhe rikthimin në funksion të këtij institucioni.

Emërimi i tij u përshëndet nga ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë, madje edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese që doli me një deklaratë për shtyp duke e vlerësuar si historike këtë ditë, që e rikthen në punë pas thuajse tre vitesh “pushim”.

“Sot është një ditë e shënuar për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse që pas ndërprerjes në mars të vitit 2018”, thuhet në deklaratë.

Por, edhe pas emërimit të tij, “konjukturat” brenda Gjykatës Kushtetuese mund të mos e bëjnë kaq “magjik” këtë zhvillim. Që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim ai duhet të ketë 5 vota pro, ose kundër. Pra, shumicën e thjeshtë të 9 anëtarëve që duhet të ketë kjo gjykatë.

Kjo do të thotë se gjashtë anëtarët duhet të jenë thuajse në një mendje për të dhënë vendime për çështje që aktualisht janë të depozituara në këtë institucion dhe disa prej tyre nuk janë aq të thjeshta.

Në sirtaret e Kushtetueses qëndron padia e depozituar nga Voltana Ademi, ku kërkon shpalljen të paligjshme të zgjedhjeve lokale të 2019, të bojkotuara nga ana e Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi. Qëndron gjithashtu i depozituar si kërkesë e Presidentit Ilir Meta edhe ligji i shembjes së Teatrit Kombëtar.

Që të dyja këto çështje janë thelbësisht politike dhe kanë qenë ndër kulmimet e përplasjes mes mazhorancës socialiste nga njëra anë dhe Presidentit Ilir Meta e opozitës nga ana tjetër. Nën këtë presion do të duhet të vendosin për këto dy çështje dhe për çështje të tjera anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Koha do të tregojë se sa e aftë do të jetë trupa me 6 gjyqtarë që t’u japë zgjidhje këtyre çështjeve delikate, por nisur nga historiku i përplasjes për zgjedhjen e disa prej tyre, mund të pritet e hamendësohet lehtësisht një përçarje edhe brenda këtij institucioni, përçarje që mund ta bëjë të pamundur vendimmarrjen e saj.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të abstenojnë. Ata duhet të votojnë pro ose kundër për çdo çështje. Por, as ky rregull nuk e shmang mundësinë që vota të ndahet 3 me 3, ose 4 me 2, ose që të rrëzojë një kërkesë pa marrë një vendim për mosplotësimin e numrit të 5 gjyqtarëve në atë që njihet si procesi i “bisedimeve dhe votimit”, që i paraprin vendimmarrjes.

Kjo përcaktohet në nenin 73 të ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Aty thuhet se vendimi shtyhet në rastet kur njëri prej gjyqtarëve mungon në bisedime, ose votim. Në këtë rast, Mbledhja e Gjyqtarëve nuk zhvillohet dhe shtyhet për një datë tjetër.

Në pikën katër të këtij neni thuhet se në rastet kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Këto janë arsyet që duket se frenojnë “euforinë” e ndërkombëtarëve dhe ndoshta edhe ato se përse Presidenti Ilir Meta tha sërish se për rikthimin e Gjykatës Kushtetuese në funksion duhet ende punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë