Politike

Kadilli: Nëse Basha hesht, për herë të parë në 30 vjet, PD është zyrtarisht në konflikt të hapur me DASH

Anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli ngre shqetësimin se në krizën më të rëndë në raportin e PD me partnerin strategjik të Shqipërisë (SHBA), kryetari i PD-së, Lulzim Basha është fshehur.

“Situatë perfekte për atë që s’do të bëjë asgjë. S’do të bëj as kryetarin! Ja le Berishës ta shpallë qëndrimin. Prandaj njerëzit nuk e besojnë për kryetar. Nuk flet kur flet kryetari. Flet ai tjetri, ose të tjerë në vend të tij. Prandaj nuk krijon dot besim. Prandaj populli nuk e sheh si lider. As vetë partia nuk e konsideron të tillë. Kot shpenzon për kompani fushatash dhe lobimesh. Heshtja e Bashës në këtë moment dramatik kur kemi një konflikt të hapur mes Departamentit të Shtetit dhe Berishës nuk i jep lidership demokratit të thjeshtë”, komentoi Kadilli pas konferencës për shtyp të Sali Berishës të mbajtur të enjten në mesdite.

Kadilli vlerëson se Berisha është në të drejtën e vet të mbrohet. “Por kryetari duhet të flasë në emër të partisë. Të mbrojë partinë. Të mbajë qëndrim parimor në emër të partisë…”, vëren ai.

 “Nuk mbahen dy kunguj në një sqetull. Berisha sot deklaroi që Basha është me atë. Basha vijon të heshtë. Në rast se heshtja e Bashës është aprovim atëherë mund të themi se për herë të parë në 30 vjet, që nga dita e themelimit të saj PD është zyrtarisht në konflikt të hapur me Departamentin e Shtetit. Ky është një problem shumë serioz, më shumë për të tashmen dhe  sidomos për të ardhmen e PD-së, se sa të Departamentit të Shtetit”, nënvizon Kadilli

Sipas tij, heshtja e gjatë e Bashës nuk është pjekuri e as maturi.

“Po pse e do atë karrige? Pse do që të jetë kryetar, kur nuk i del zot partisë në situatën më të vështirë? Pse e do karrigen kur nuk ka asnjë vullnet për të ngritur një opozitë të re? Kur nuk ka as idenë më të vagullt se si duhet të jetë një opozitë e re?…

Sot për sot kemi një kryetar, por nuk kemi lider!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë