Politike

Kadilli: Sa kohë “njëshi” dominon i patrazuar, shanset për demokraci në parti janë të pakta

Fatbardh Kadilli, i cili ka propozuar një paketë ndryshimesh të statutit të partisë në prag të Kuvendit të PD, shprehet se çmontimi i monopolit të Kryetarit mbi partinë dhe anëtarësinë është proçes jo thjeshtë i nevojshëm, por jetik për demokratizimin e partisë.

“Sa kohë të vazhdojmë të kemi këtë gjendje në partitë tona, ku njëshi dominon i patrazuar, shanset për demokratizimin e partive dhe të vetë shoqërisë mbeten shumë të pakta.

Ndaj të gjithë duhet të jemi në kërkim dhe në mbështetje të çdo rruge që siguron kufizimin e autoritetit të Kryetarit në Parti. Kjo nuk i intereson vetëm anëtarëve të partisë. Kjo është çështje me ndikim të madh në shoqëri, sepse është e qartë dhe e provuar në çdo eksperiment që kemi bërë deri më sot me demokracinë tonë, që Kryetarët siç sillen kur drejtojnë partinë, ashtu do sillen dhe në pushtet.

Që partitë të jenë demokratike duhet të demonstrojnë në radhë të parë sjellje dhe praktikë të ngulitur demokratike në funksionimin e tyre”, shkruan ai në një postim të gjatë në Facebook.

“Edhe pse PD ka më shumë hapësirë dhe nerv demokratik në funksionimin e saj,  – vijon ai, – përsëri mbetet shumë larg një demokracie të brendshme që të jetë ftuese, që të jetë garantiste dhe të sigurojë vlerësimin e kontributit dhe mos pengimin e karrierës”.

Sipas tij, vendosja e primareve si rregull statutor për zgjedhjen e drejtuesve të çdo niveli dhe për zgjedhjen e kandidatëve për Parlament dhe për Bashki është një ndryshim rrënjësor.

Kadilli i mëshon edhe faktit se vetëm me një ndarje të rolit politik nga ai administrativ, parimi i zgjedhjeve me primare do të ishte real.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë