Lajme

Kamerat kapin vrasësin e avokatit të Shullazit

Asnjë i dyshuar për vrasjen mafioze të avokatit në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, prej 10 vitesh avokat, u qëllua me dy plumba në kokë, ndërsa ishte ulur për të konsumuar kafe në një lokal bashkë me një përfaqësues të Avokatit të Popullit.
Për ekzekutimin e 50-vjeçarit, autori i maskuar me një kapele ka përdorur një pistoletë me silenciator. Nga rindërtimi i ngjarjes, autori i është afruar qetësisht Gurrës dhe më pas e ka qëlluar pas koke dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për të mos krijuar dyshime, autori, në momentin që është drejtuar për te tavolina ku qëndronte Gurra, e ka përshëndetur me dorë.
Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin autorin, por Policia dhe Prokuroria deri tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë identifikimin e tij. Ravik Gurra, babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998.
Hetimet
Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona.
Ravik Gurra, njihet si një prej juristëve që u ka dalë në mbrojtje disa prej personazheve të përfshirë në shumë çështje të rënda kriminale, si “Çapjave” në Elbasan, apo edhe i Emiljano Shullazit.
Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, e më pas në vitin 1998 ka emigruar në Angli.
Mësohet se atje ka punuar si përkthyes në Gjykata, Ministrinë e Emigracionit dhe Polici.
Gurra jetonte në Lindje të Londrës bashkë me familjen. Edhe në Angli ai ka studiuar për avokati.
Në 10 vitet e fundit ai jetonte mes Elbasanit dhe Londrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë