Në çarterin e Kombëtares që udhëtonte drejt Minskut këtë herë ishin më shumë presidentë klubesh të Superiores se asnjëherë tjetër. Ishin thuajse të gjithë, edhe presidenti i Partizanit Gaz Demi apo ai i Apolonisë Koço Kokëdhima. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i fitoi ata për të ndjekur ndeshjen e Kombëtares me Bjellorusinë. Sipas tij, ishte i nevojshëm një bashkim i tillë pas periudhës së vështirë që kaloi futbolli ynë.
Por ftesa për presidentët e Superiores ka edhe një qëllim tjetër, një “samit” të radhës çështjen e ligjit për sportin dhe çështjen e privatizimit të klubeve. Prej kohësh FSHF-ja dhe Liga Profesioniste kërkojnë nga qeveria ndryshime në ligjin për sportin, por kanë hasur në indiferentizmin e saj. Pak kohë më parë Liga kërcënoi me bojkot të kampionatit dhe duket se kampionatet janë drejt shtyrjes me të paktën një javë, përderisa nga qeveria nuk ka asnjë reagim.
Superiorja është parashikuar të nisë më 19 gusht, por me lëvizjet e fundit të klubeve, FSHF-së dhe Ligës, shtyrja duket vetëm një formalitet. “Presioni” i radhës vjen nga Minsku dhe tani pritet të shihet se çfarë hapi do të ndërmarrë qeveria. Lufta e ftohtë vazhdon.

Deklarata për shtyp e Ligës
Sot në mbledhjen e ligës së klubeve të Kategorisë Superiore të Shqipërisë, zhvilluar ne Minsk të Bjellorusisë, morën pjesë 9 klube nga 10 gjithsej. Pas një diskutimi të kujdesshëm dhe serioz, ne presidentët e klubeve vendosëm njëzëri dhe me unanimitet të plotë:
- Të çojmë deri në fund luftën tonë për plotësimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë një muaj më parë:
a. Të ulet TVSH në masën 6%.
b.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.
c. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.
d. Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimi për Sportin.
2) Të apelojmë komunitetin e futbollit shqiptar, që debuton brenda e jashtë kufijve tanë shtetërorë, bashkësinë e sporteve të tjera, inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare, të bashkohen me luftën tonë të drejtë e të ligjshme.
3) Ftojmë Qeverinë, në tavolinën e bisedimeve. Katër kërkesat tona janë një pjesë shumë e vogël e premtimeve gënjeshtare të kahershme e të përsëritura të qeverisë. Qeveria duhet të na dëgjojë dhe t’i plotësojë këto kërkesa minimale.
4) Ne nuk do tërhiqemi nga bojkoti ynë i kampionatit sa kohë nuk do dëgjohemi. Në datën 12 shtator kampionati ynë i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona. Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje