Tri javë pas incidentit të rëndë me makinë, që i shkaktoi plagë të thella në këmbën e djathtë, kampioni i golfit, Tajger Vuds, është kthyer në shtëpi. “Jam i lumtur t’u them se jam kthyer në shtëpi dhe po e vazhdoj këtu fazën e rikuperimit. U jam shumë mirënjohës për mbështetjen dhe inkurajimin që më keni dhënë javët e fundit”, – ka shkruar ai në Tuiter.
Vuds ka falënderuar në mënyrë të veçantë edhe mjekët që u kujdesën për të: “Faleminderit kirurgëve fantastikë, mjekëve, infermierëve dhe personelit të qendrave mjekësore Harbor-Ucla dhe Cedars-Sinai, që u kujdesët për mua. Do ta kaloj fazën e riaftësimit në shtëpi dhe do të përpiqem të bëhem më i fortë çdo ditë”.

Më 23 shkurt Tajger Vuds humbi kontrollin e makinës, që bëri disa rrotullime në një rrugë pranë Los Anxhelesit. Ai u transportua menjëherë në spital, ku u operua pas frakturave në këmbën e djathtë. Pastaj vazhdoi kurimin në qendrën Cedars-Sinai. Sherifi që u ngarkua për të hetuar incidentin ka bërë me dije se Vuds nuk akuzohet “për drejtim mjeti në mënyrë të rrezikshme”. Sipas tij, bëhet fjalë për një incident të zakonshëm. Gjithsesi, hetimet nuk janë mbyllur ende.
“Nëse do të kthehet të luajë sërish golf, mendoj se do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, – ka thënë ish-kampioni britanik, Nik Faldo. Vuds ka pasur dëmtime të ndryshme gjatë karrierës, por kjo nuk e ka penguar të fitojë në 2019-ën titullin e 15-të në Grande Slam dhe për të barazuar rekordin e Sam Snead. Në janar Vuds bëri ndërhyrjen e pestë në shpinë dhe po përpiqej të kthehej në aktivitet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje