Bota

Kanada, zbulohen eshtrat e 761 persona në një ish-shkollë. Shumica e tyre janë fëmijë

Mbetjet e zbuluara pranë një ish-shkolle rezidenciale në provincën Saskatcheëan, në Kanada, u përkasin 761 personave, kryesisht fëmijë vendas.

Zbulimi ndodhi më pak se një muaj pas gjetjes së eshtrave të 215 fëmijëve në Kamloops, British Columbia, pranë një tjetër prej shkollave të themeluara në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga qeveria kanadeze dhe e drejtuar nga Kisha Katolike.

Cadmus Delorme, kreu i komunitetit indigjen Kanadez Cowessess, specifikoi: “Të Mërkurën gjetëm 751 varre anonime. Nuk është një varr i zakonshëm, ato janë varre anonime”, shpjegoi Delorme në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se gërmimet filluan përmes gjeo-radarit më 2 qershor.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, theksoi se Kanadaja duhet të pranojë historinë e saj të racizmit kundër popujve vendas në mënyrë që të “ndërtojë një të ardhme më të mirë”.

Trudeau i quajti zbulimet, së pari në British Columbia, pastaj më të fundit në Saskatchewan “një kujtesë e turpshme e racizmit sistematik, diskriminimit dhe padrejtësisë që popullata vendase ka përjetuar në këtë vend”.

Kryeministri kanadez vazhdoi se “ne duhet të marrim parasysh këtë realitet, të mësojmë nga e kaluara jonë dhe të marrim rrugën e përbashkët të pajtimit, në mënyrë që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë