“Kanadaja duhet të ndalojë plotësisht blerjen dhe shitjen e të gjitha pistoletave”, ka thënë kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Qeveria e tij është duke propozuar një ligj të ri që parashikon ngrirjen e pronësisë private për të gjitha armët e zjarrit me tytë të shkurtër.
“Si qeveri, si shoqëri, ne kemi përgjegjësinë të veprojmë për të parandaluar më shumë tragjedi,” tha zoti Trudeau.
Propozimet, të cilat pritet të kalojnë, vijnë pas të shtënave masive vdekjeprurëse të javës së kaluar në Uvalde, Teksas, që vranë 21 njerëz, dhe një tragjedie të vitit 2020 në Nova Scotia rurale, në të cilën 22 njerëz vdiqën nga të shtënat masive më vdekjeprurëse në Kanada.
Plani i kthimit të armëve është modeluar sipas përpjekjeve të tjera të suksesshme në vazhdën e tragjedive kombëtare.
Në vitin 2019, Zelanda e Re ndaloi armët gjysmë automatike dhe bleu armë pas sulmeve në dy xhami në Christchurch që vranë 51 njerëz.
Pas të shtënave të vitit 1996 në Port Arthur, Australi, qeveria mblodhi më shumë se 650.000 pushkë gjysmë automatike dhe shumë pushkë gjahu pasi armët e tilla u ndaluan.
Sipas propozimeve legjislative kanadeze, njerëzit gjithashtu nuk do të jenë më në gjendje të blejnë, shesin, importojnë ose transferojnë pistoleta, dhe atyre që kanë kryer dhunë në familje ose vepra ngacmimi kriminal, si përndjekja, mund t’u hiqet leja e armës.
“Përveç përdorimit të armëve të zjarrit për të shtëna sportive dhe gjueti, nuk ka asnjë arsye që dikush në Kanada të ketë nevojë për armë në jetën e tij të përditshme”, shtoi kryeministri.
Kanadaja tashmë ka ligje më të rrepta për armët sesa SHBA. Për dallim prej Shteteve të Bashkuara, në kushtetutën e Kanadasë nuk përmendet e drejta për mbajtje të armës, por ato janë të qasshme dhe njerëzit i mbajnë kryesisht në pjesët rurale të shtetit.
Burimi: Independent/ Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje