Politike

Kandidatët ‘lulëzues’ për kryeqytetin, të gjithë e duan Tiranën

Belind Këlliçi kandidati i mbështetur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, ( një pjese të konsiderueshme të opozitës), ka filluar fushatën cep me cep të Tiranës. Objektivi i tij është fitorja e Bashkisë së Tiranës duke pasur ne qendër të vëmendjes punën e kundërshtarit politik në garë Erion Veliaj.

Këlliçi nuk do të jetë i vetmi në garë. Grupi “Alibeaj” nuk e ka shpallur ende kandidaturën në “emër të PD” ndërsa përfaqësues të tjerë nga e djathta kanë lëvizur.

Arian Galdini ftoi qytetarët pak ditë më parë që të mbështesin nismën e tij. Ai u prezantua si kandidati i të djathtëve kundër Berishës dhe Ilir Metës.

“…Dua të jem kandidat i qytetarëve shqiptarë, fillimisht i të djathtëve që janë qartësisht kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës. Unë besoj që ka qytetarë që besojnë tek e djathta, që nuk e duan më opozitën të marrë peng nga Sali Berisha e Ilir Meta. Dua mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, pavarësisht përkatësisë politike”, eshte shprehur Galdini

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska ka deklaruar gjithashtu se do të rikthehet në politikë.

Sipas saj, rruga e vetme për t’u kthyer në politikë është kandidimi për Bashkinë e Tiranës.

“Për mua nuk ka rëndësi sigla. Për mua ka rëndësi impenjimi, përgjegjësia dhe në respektim të rregullave dhe sistemit që kemi në fuqi, ne të japim kontribut. Unë jam e gatshme të jap kontributin tim për Tiranën. E njoh shumë mirë Tiranën dhe problematikat e saj”

Edhe Nisma “Thurje”do të  prezantohet e vetme për zgjedhjet lokale. Kreu i saj, Endri Shabani tha se vizioni i tyre është për një Tiranë krejt ndryshe.

Shabani u shpreh për mediat se një nga synimet e nismës “Thurje” për Tiranën është të zgjidhet problemi i transportit publik duke ofruar transport falas për pensionistët dhe studentët.

“… Për hir të së vërtetës nuk ka qenë kurrë më i qartë kontrasti midis regresit dhe progresit”, tha ndër të tjera Shabani, pa përmendur emrin e kandidatit.

Në të njëjtën ditë pedagogu Arlind Qori ka shpallur kandidaturën për bashkinë e Tiranës nën siglën “Lëvizja BASHKË”.

“…Të dashur miq, me apo pa njohjen e gjykatës, me 3000 apo 7000 nënshkrime qytetarësh, me apo pa mbulim mediatik, me të gjithë të pushtetshmit, oligarkët e zullumqarët kundër, por me zemrën dhe sakrificat e përditshme të qindra shoqeve e shokëve të mi në Lëvizjen BASHKË dhe, me shpresë, me mbështetjen e shumë e më shumë qytetarëve në këtë rrugë, emrin tim do të keni mundësi ta lexoni në fletën e votimit për kandidat të Bashkisë së Tiranës. BASHKË PËR TIRANËN!”, shkruan Qori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë