Ne rrjet

Kandidatja për presidente në Francë, Le Pen: Pas luftës, afrim NATO-Rusi

Gazeta Si – Marine Le Pen organizoi një konferencë shtypi të mërkurën në mbrëmje për të ilustruar pozicionet e saj në politikën ndërkombëtare, 10 ditë përpara votimit që të dielën e 24 prillit do të vendosë se kush mes saj dhe presidentit aktual Emmanuel Macron do të qeverisë Francën për 5 vitet e ardhshme.

Dhe rezultati është një thyerje totale me politikën aktuale të Francës ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ashtu si pushtimi rus i Ukrainës i shtyn Finlandën dhe Suedinë të kërkojnë anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike, Marine Le Pen shikon një “afrim strategjik midis NATO-s dhe Rusisë sapo të përfundojë lufta ruso-ukrainase dhe të qeveriset nga një traktat paqeje”.

Dhe të enjten në mëngjes ajo shtoi, në një intervistë me “France 2”, se “kur të nënshkruhet një traktat paqeje, NATO-s do t’i duhet të rifillojë kontaktet me Rusinë. Perëndimi do të kishte shumë për të humbur nga afrimi i Rusisë me Kinën. Këto dy superfuqi së bashku mund të përfaqësojnë një rrezik”.

Dhe ndërsa – si Macron – duke hedhur poshtë përkufizimin e “gjenocidit”, ajo zbuloi se “është padyshim krim lufte” kur “civilët e paarmatosur vriten në këtë mënyrë”, si në Bucha dhe Mariupol.

Gjeografia, para së gjithash thotë se të kesh një marrëdhënie me Rusinë, është e pashmangshme, por ndoshta është e parakohshme të mendosh për një marrëdhënie të ardhshme NATO-Rusi sot, kur masakrat ruse në Ukrainë vazhdojnë dhe NATO po rizbulon arsyen e ekzistencës dhe fuqinë e saj pikërisht në funksion të mbrojtjes anti-ruse.

Marine Le Pen përpiqet të minimizojë lidhjet e saj ideologjike me Kremlinin mbi të gjitha, por në të njëjtën kohë pozicionet e saj pasqyrojnë një qasje proruse dhe antiamerikane që vjen nga larg.

Në lidhje me afrimin e propozuar me Rusinë, ndonëse pas luftës, Marine Le Pen shtoi se “është në interesin e Francës dhe Evropës, por besoj edhe për Shtetet e Bashkuara, të cilat sigurisht nuk janë dakord të shohin shfaqjen e një afrimi apo bashkimi mes Kinës dhe Rusisë”.

Kandidatja e Rassemblement, thotë se ajo po kërkon një rrugë autonome që nuk është as nënshtrim ndaj Moskës dhe as “ndjekje e administratës Biden”.

Marine Le Pen u përpoq të largonte në plan të dytë luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë, duke preferuar të fokusohej në vizionin e saj për Evropën: “Është false që Macron është për Evropën dhe unë kundër Evropës, askush nuk mund të jetë kundër Evropës, ne jemi francezë dhe evropianë, është e qartë. Edhe sikur Brexit të mos ishte katastrofa që shumëkush shpalli, unë nuk propozoj daljen e Francës nga Bashkimi Evropian, sepse dua ta ndryshoj nga brenda”.

Kandidatja për presidente, shpreson në transformimin e Bashkimit Evropian në një “Aleancë Evropiane të Kombeve”, në të cilën shtetet anëtare do të marrin mbrapsht kompetencat që, sipas saj, u janë zhvatur nga Komisioni. Në thelb, një fund për qasjen mbi-kombëtare, e cila është thelbi i ndërtimit evropian nga vitet 1950 e deri më sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë