“Ne ndihemi të shkatërruar”. Një adoleshent u qëllua për vdekje pasi goditi një polic, një djalë tjetër pësoi goditje të forta nga furia e shkopinjve të gomës gjatë rrugës për në shtëpi.
Oficerët që qëllojnë mbi protestuesit e paarmatosur. Helikopterë që gumëzhijnë në qiell, tanke që tronditin asfaltin në lagjet popullore, shpërthime që jehojnë në rrugë.
Kolumbia po digjet, aty ku protestat kundër qeverisë së Iván Duque, filluan më 28 prill dhe ku as shirat e rrëmbyeshëm të dy ditëve më parë nuk arritën të ndalonin protestat dhe përplasjet shumë të forta, ku 24 njerëz kanë humbur jetën deri më tani (17 sipas autoriteteve), me 89 të raportuar të zhdukur.

“Ata po na vrasin”, është një nga frazat që bien në sy në banderolat e të rinjve. Nga Bogota, duke kaluar përmes Cali, Medellin dhe Barranquilla, janë zhvilluar marshime kudo.
Kamionistët bllokojnë autostradat kryesore, ndërsa Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Shteteve Amerikane (OSA) dënojnë qeverinë kolumbiane për “përdorimin e tepruar të dhunës”, me zëdhënësin e Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Marta Hurtado, e cila tha se ishte “thellësisht e alarmuar”.
Në ballë të përplasjeve janë të rinjtë. “Këtu ne nuk vdesim nga uria vetëm për shkak të Covid 19, ne vdesim nga varfëria”, – është thirrja e Isamari Quito, një student i drejtësisë. “Ata po na gjuajnë”, thotë e alarmuar Luna Giraldo Gallego, një studente universiteti nga qyteti i Manizales.

Presioni rritet mbi Partinë Konservatore të presidentit Iván Duque, ndërsa aleatët i kërkojnë atij të shpallë shtetrrethimin, një akt që do t’i jepte atij fuqi të reja të mëdha.
“Dikush ka ndjenjën se kjo qeveri, megjithëse drejtohet nga presidenti më i ri në historinë kolumbian (Duque është 44 vjeç), këmbëngul në ide të vjetruara”, – vijon Jennifer Pedraza, 25 vjeçe, përfaqësuese e studentëve të Universitetit Kombëtar.
Mediat shkruajnë se ishte e padobishme të tërhiqej reforma tatimore, e cila parashikonte heqjen e përjashtimeve për taksën në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve (TVSH-ja) dhe do të ulte pragun nga i cili fillon të paguhet tatimi mbi të ardhurat. “Ne do të vazhdojmë të protestojmë kundër reformës shëndetësore”, përfundon Pedraza.
Shpërthimi i zhgënjimit në Kolumbi – thonë ekspertët – mund të paralajmërojë trazira në të gjithë Amerikën Latine, në një përzierje të ndezshme të tensioneve shoqërore të shkaktuara nga pandemia dhe rënia e të ardhurave të qeverisë.
Demonstratat janë pjesërisht, vazhdimi i një lëvizje që përfshiu Amerikën Latine në fund të vitit 2019 nga Bolivia përmes Kilit, deri në Nikaragua. Pastaj ndodhi pandemia e Covid 19.

Kolumbia ka vendosur një nga bllokimet më të gjata në botë, që ka shkaktuar probleme të mëdha ekonomike, duke përfshirë mbylljen e mbi 500,000 bizneseve, me 43% të popullsisë që jeton në varfëri (+ 7% krahasuar me epokën para-Covid) dhe 2,8 milionë njerëz që jetojnë me më pak se 145 mijë pesos në muaj, rreth 32 euro.
Dhe tani – pas tetë ditësh zemërimi – Santiago Murillo, 19 vjeç, një student i shkollës së mesme, është gjithashtu midis viktimave të protestave. Të shtunën në mbrëmje ai po kthehej në shtëpi në Ibagué, ndërsa përleshjet po vazhdonin.
Dy blloqe larg shtëpisë ai u qëllua dhe ra për tokë. Të dielën, banorët e Ibagués mbajtën një parullë në emër të tij. “Unë iu kërkova atyre të protestojnë në mënyrë civile”, – thotë nëna e tij “në paqe”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje